Transmetuar më 11-02-2017, 20:37

Tiranë, 11 shkurt 2017, NOA.al- Policia e Shtetit del me deklaratë lidhur me 8 tonë drogë të bllokuar në Itali, për të cilën u tha se kishte kaluar nga porti i Durrësit.

“Policia italiane ka konfirmuar që në lidhje me një artikull që ka qarkulluar në media për sekuestrimin e 8 ton lëndë narkotike në Venecia, Shqipëria nuk është e përfshirë as në njerëz e as në mjete. Konfirmimi vjen nga DCSA, Drejtoria Qendrore e Shërbimit Antidrogë”, thuhet në qëndrimin e Policisë së Shtetit.

Më tej bëhet me dije se hetimi është sekret dhe ndiqet nga tre prokurori në Itali.

Po ashtu thuhet se nuk mund të jepen të dhëna të tjera mbi hetimin për shkak të sekretit hetimor, por konfirmohet që nuk ka të përfshirë nga pala shqiptare.

Policia bën me dije se organizata kriminale është e drejtuar nga shtetas të Maqedonisë.

Policia e Shtetit thotë se mbetet nga partneret më të fuqishëm të policisë italiane në luftën kundër trafiqeve në përgjithësi dhe të trafikut të lëndëve narkotike në veçanti. 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd