Transmetuar më 11-02-2017, 11:12

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, deputetja Albana Vokshi u takua me drejtueset e LDG- së në Lezhë, Mirditë dhe Kurbin nga ku bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e 18 shkurtit në Tiranë për të rrëzuar qeverinë dhe për të çuar Shqipërinë drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Nga Tirana nis një lëvizje popullore pa kthim, e cila do të përfundojë vetëm me largimin e kësaj qeverie të korruptuar, antisociale, të lidhur me krimin e organizuar. Sot qeverisemi nga kriminelë. Pushteti duhet t’u kthehet qytetarëve. Edi Rama erdhi në pushtet me vota të blera. Ndaj e mbushi Shqipërinë me hashash. Lezha dhe e gjithë Shqipëria duhet të bëhen barrikadë përballë kësaj organizate kriminale,që varfëroi dhe gjysmën e popullsisë. Të ngrihemi të gjithë bashkë në 18 shkurt në protestën e pandalshme: qëllimi final, pushteti t’i kalojë popullit, kjo është demokracia”, u shpreh Vokshi.

Deputetja Vokshi e quajti hipokrizi propagandën e Kryeministrit me historitë e ish sigurimit të shtetit. Vokshi tha se Rama është pasardhës i atij regjimi dhe i kërkoi  të tregojë se kush firmosi për ekzekutimin e poetit Havzi Nela. “I bëj kërkesë Ramës që bashkë me dosjen e Musine Kokalarit të hapë edhe dosjen e Havzi Nelës dhe të tregojë se kush ka firmosur për ekzekutimin e tij”./b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd