Transmetuar më 10-02-2017, 12:39

Ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu, duke punuar me partinë në pushtet që mbështetet nga Soros, anuloi vizat amerikane për rreth 70 anëtarë të Partisë Demokratike (që është në opozitë) të cilët ishin gati për t’iu nënshtruar “vetting”-ut para se të kandidonin për t’u bërë pjesë e sistemit gjyqësorë në vend. Ky veprim flagrant partizan dhe aspak demokratik e zhyti vendin në një krizë politike.

Nga L. Todd Wood/ Washington Times

Le të fillojmë me një pyetje të thjeshtë: A është normale për një ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të shantazhojë një parti politike në mënyrë që të avantazhojë një tjetër – në një vend të huaj?

Le të shkojmë pak më tej. A është normale për një ambasador të SHBA-ve që t’i diktojë politikat qeverisë së një vendi të huaj, duke e kërcënuar me “pasoja”, në qoftë se qeveria nuk ndjek urdhrat e tij?

A është e pranueshme që një ambasador amerikan të ndjekë axhendën e një farë miliarderi hungarezo-amerikan dhe organizatave që ai financon, dhe jo interesat e qeverisë amerikane, interesa që përfshijnë një proces të hapur demokratik dhe aftësinë e institucioneve të qeverisë së huaj për të kryer detyrat për të cilat është e mandatuar nga sovrani?

Po nëse unë ju them juve se Kryeministri i atij vendi ka marrë pjesë në dasmën e miliarderit liberal Xhorxh Soros? Po nëse unë ju them juve se z. Soros ka mbështetur në Shqipëri një qeveri për të cilën kritikët thonë se ka përfituar nga tregtia “e etur” e drogës, që po vret mijëra njerëz anembanë Evropës? Po nëse ky Ambasadori i SHBA-ve është parë të bëjë përpjekje për të mbyllur hetimin ndaj një prej kompanive më të mëdha në Shqipëri në një kohë që predikonte lidhur me nevojën për të luftuar korrupsionin e zyrtarëve?

E gjitha ka filluar disa javë më parë në vendin e vogël ballkanik, ku procesi për të reformuar sistemin e drejtësisë nga themelet është në rrugë e sipër. Ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu, duke punuar me partinë në pushtet që mbështetet nga Soros, anuloi vizat amerikane për rreth 70 anëtarë të Partisë Demokratike (që është në opozitë) të cilët ishin gati për t’iu nënshtruar “vetting”-ut para se të kandidonin për t’u bërë pjesë e sistemit gjyqësorë në vend. Ky veprim flagrant partizan dhe aspak demokratik e zhyti vendin në një krizë politike.

Përmes një deklarate, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka konfirmuar se kishte “revokuar vizat jo-emigruese për disa gjyqtarë dhe prokurorë shqiptarë pasi ka dalë në përfundimin që këta zyrtarë nuk kualifikohen për këto viza. Për shkak se të dhënat e vizave janë konfidenciale sipas ligjit të Shteteve të Bashkuara, ne nuk mund të komentojmë mbi raste individuale. Ambasada e Shteteve të Bashkuara e ka ndërmarrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të vetingut, që do të vlerësojë lidhjet e zyrtarëve të caktuar me korrupsionin”.

Ajo që deklarata nuk thotë është se asnjë nga individët e prekur nga ku vendim nuk i përkiste Partisë Socialiste të Kryeministrit Edi Rama. Me pak fjalë, i dërguari i qeverisë SHBA-ve është duke përdorur tani taktikën e “të fortit” për ta bërë sistemin gjyqësor në Shqipëri “rob” të një partie, që po pasurohet nga tregtia e drogës dhe mbështetet nga Fondacioni për Shoqërinë e Hapur të z. Soros, që bën thirrje për legalizimin e drogës.

Prokuroria e Përgjithshme shqiptare ka reaguar me zemërim, duke shpërndarë një deklaratë ku ndër të tjera shkruhej: “Prokuroria e Përgjithshme do t’ia bëjë të qartë z. Lu se në qoftë se ai mendon se është Zot në politikën shqiptare, nuk mund ta bëjë një gjë të tillë me Prokurorinë. Z. Lu mendon se ai ka fatin e Prokurorisë në dorë, kur ai shantazhon këtë institucion në mënyrë që të mbyllë hetimet ose duke i revokuar vizat”.

Deklarata në fjalë thekson se lëvizjet e ambasadorit ishin “tipike sorosiane, me qëllim manipulimin e opinionit publik dhe zhvlerësimin e institucioneve”.

Çdo veprim nga një diplomat i SHBA-ve që ka për qëllim të mbështesë vetëm njërën parti në kurriz të një tjetre në një vend të huaj është anti-demokratike, aspak amerikan dhe në kundërshtim me parimet e Shteteve të Bashkuara. Krijimi i një sistemi drejtësie të kapur nga një parti është e kundërta e asaj që ishte menduar kur nisi reforma gjyqësore në Shqipëri.

Ja si qëndrojnë gjërat: Ka simpatizantë të fshehtë në Departamentin e Shtetit post-Obama që po punojnë me një axhendë sekrete që është anti-republikane dhe/ose anti-Donald Trump. Dhe disa prej tyre tani po dalin hapur: Rreth 1,000 diplomatë së fundmi nënshkruan një “memorandum mospajtimi” kundër vendimit të përkohshëm të z. Trump lidhur me emigracionin. Këta njerëz nuk e kanë aspak problem anulimin e vizave për ata që kundërshtojnë politikat e tyre neo-marksiste përtej oqeanit, por janë gati të bëjnë një sy qorr para prapësive, le të themi të regjimit iranian, Hamasit, ose Autoriteteve Palestineze.

Z. Lu është duke destabilizuar Shqipërinë duke zgjedhur fituesit dhe humbësit në mosmarrëveshjet politike të atij vendi. Lidhjet e z. Rama me z. Soros ngrenë shqetësime rreth për një gjyqësor të sigurt e të pavarur.

SHBA-të deri më tani kanë mbajtur anën e Partisë Socialiste që është në pushtet, duke sjellë polarizimin e këtij vendi të vogël, por të rëndësishëm në pellgun e Mesdheut. Shqipëria është vend me shumicë myslimane, por laike. Është i vetmi anëtar i NATO-s me popullsi myslimane pas Turqisë dhe është një kandidat për t’u anëtarësuar në në Bashkimin Evropian.

Teksa z. Trump dhe Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson përpiqen të “pastrojnë ujërat e turbullta” në Uashington, është mirë të bëhet një analizë për njëanshmërinë e z. Lu dhe nëse është në sinkron me politikën e jashtme të z. Trump nën moton “Ta bëjmë Amerikën të madhe sërish”./Washington Times