
Tiranë, 10 shkurt 2017, NOA.al- Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili, mori pjesë sot në takimin e pestë të Komitetit Drejtues të EURALIUS IV, “Konsolidimi i Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri”.
Në fjalën e tij, Vasili u ndal tek rëndësia e këtij misioni në procesin e reformës në drejtësi, duke konsideruar, duke sjellë një produkt tërësisht të paanshëm dhe profesional.
“Ne nuk bëjmë dot pa EURALIUS, por edhe ata nuk bëjnë dot pa ne. Ekspertët njohin realitetin, mundësitë reale të zbatimit të kuadrit ligjor që do të ndërtohej. Zbatimi i shpejtë dhe efikas i jep vlerë ndryshimeve të bëra”, tha ministri i Drejtësisë.
Ai shtoi se falë punës edhe të ekspertëve të këtij misioni, janë miratuar ndryshimet kushtetuese dhe 7 ligjet të tjera që plotësojnë gjithë kuadrin ligjor për formimin e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë.
Ndërsa u ndal tek roli i Euralius në procesin e reformës, Vasili e konsideroi atë kyç, së bashku me ekpertizën e ofruar nga ekspertët e OPDAT.
“Puna e tyre ka qenë përcaktuese për realizimin e reformave në drejtim të konsolidimit të institucioneve shqiptare të drejtësisë që prej vitit 2005, ndërkohë që ky partneritet asiston institucionet kryesore shqiptare të drejtësisë me qëllim fuqizimin e pavarësisë, transparencës, efiçencës, llogaridhënies dhe besimit publik në sistemin shqiptar të drejtësisë, në pajtim me të drejtën dhe praktikat më të mira të Bashkimit Europian”, u shpreh ministri.
Duke u ndalur tek faza e re dhe orientimet e punës në të, ministri Vasili tha se “tashmë falë punës së ekspertëve vendas e ndërkombëtarë, ku përfshihet edhe puna e Euralius, ne sot kemi ligjet kryesore të miratuara, kemi ndryshimet kushtetuese të miratuara dhe në fuqi, si një shtrat të plotë ligjor, në mbështetje të të cilit u miratuan dhe shtatë ligjet e tjera, nëpërmjet të cilave kemi dizenjuar; se si sistemi në të ardhmen do të duhet të funksionojë, kush janë institucionet e reja dhe cili është roli i tyre”.
Ndërkaq, ministri i Drejtësisë vuri në dukje se aktualisht jemi në fazën e implementimit të këtyre 8 ligjeve të para të reformës, që sot janë në fuqi, me qëllim konstituimin e institucioneve të reja të sistemit dhe fillimit të funksionit të tyre, ndërkohë që na pret edhe faza tjetër të cilës duhet t’i kushtojmë vëmendje të madhe, asaj të diskutimit dhe miratimit edhe të një pakete reale që i nevojitet implementimit të reformës.
Lidhur me këtë, Vasili sugjeroi që roli dhe fokusi i punës së Euralius 4, duhet tashmë të orientohet për të asistuar të gjithë procesin e implementimit të reformës, me qëllim dhënien e asistencës për krijimin, konstituimin, apo dhe bërjen funksionale të institucioneve të reja të sistemit, duke filluar me ato institucione për të cilat kemi më shumë nevojë.
Vasili deklaroi se roli i ekspertizës së huaj dhe konkretisht i Euralius e OPDAT duhet të jetë edhe interpretativ apo përcaktues dhe udhëzues mbi mënyrën se si duhet zbatuar në praktikë dispoziatat e reja ligjore, që shpesh herë për politikën, interpretohen në mënyra të ndryshme, duke krijuar edhe keqkuptime të panevojshme; ndërkohë paralelisht me dhënien e kësaj ekspertize, duhet që të mos harrojmë edhe pjesën tjetër të paketës së ligjeve që janë ende në fazë konsultimi në komisionin e ligjeve.
Pa mjete dhe argumente juridike të forta, reforma nuk do të ketë efekt të drejtpërdrejtë për qytetarët e këtij vendi, tha ministri i Drejtësisë, sipas të cilit do të duhet që Euralius ta fokusojë punën e tij, për dhënien e ekspertizës për ato projektligje, nevoja e miratimit të së cilave është vërtet e domosdoshme për reformën dhe janë të lidhura drejtpërdrejt me të.
Në takimin e Komitetit Drejtues të EURALIUS IV u analizua puna e deritanishme e kryer nga ky mision ekspertize, si dhe u përcaktua fokusi i punës për pjesën e mbetur të kohës.
Projekti, që financohet nga Bashkimi Evropian, filloi në shtator të vitit 2014 dhe do të vazhdojë deri në dhjetor të vitit 2017 me fondet IPA 2013 për Shqipërinë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





