Transmetuar më 08-02-2017, 14:11

Dibër, 8 shkurt 2017, NOA.al- Dalin detaje të reja lidhur me plagosjen e paradites së sotme në Dibër, ku një i ri ndodhet në gjendje të rëndë.

Të dyshuar për ngjarjen janë babë e bir, kushërinj të të dëmtuarit të cilët janë kapur nga polica.

Mësohet se i plagosuri Endri Sina me dy autorët e dyshuar, janë kushërinj të dytë. Motivi i konfliktit dyshohet se është për një lavatriçe zhavorri në Lumin Drin, të cilën të dyshuarit dhe i dëmtuari e kanë pasur të përbashkët duke e shfrytëzuar një vit njëra palë e një vit pala tjetër.

Më konkretisht bëhet me dije se rreth orës 11:00 në vendin e quajtur “Ura e Muhurrit”, Dibër, një punonjës policie me detyrë specialist i policisë së zonës ka dëgjuar të shtëna armësh.

Ai ka kërkuar përforcime nga komisariati i Policisë Dibër dhe ka lëvizur me shpejtësi në drejtim nga vinin të shtënat me armë zjarri, ku ka konstatuar se sapo kishte ndodhur një plagosje me armë zjarri.

Punonjësi i policisë ju ka bërë thirrje palëve të hedhin armët dhe ka pritur përforcime.

Në vendngjarje është konstatuar se është plagosur me armë zjarri Endri Sina 18 vjeç, banues në Muhurr i cili është dërguar për ndihmë mjekësore më të specializuat në spitalin e Traumës në Tiranë.

Nga veprimet e policisë u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në komisariatin e Policisë Dibër për veprime të mëtejshme i dy personave, babë e bir P. Sina 62 vjeç dhe R.Sina, 30 vjeç, banues në Muhurr, që dyshohet se kanë plagosur me armë Endri Sinën.

Autorët e dyshuar kanë tentuar t’iu largohen shërbimeve të policisë por janë kapur në pak minuta. Gjithashtu është shoqëruar në polici edhe vëllai i të plagosurit, T.Sina 31 vjeç.

Policia në vendngjarje ka sekuestruar dy armë zjarri, konkretisht një armë kallashnikov që dyshohet se shtetasi i plagosur ka qëlluar në drejtim të babë e bir.

Si dhe një armë zjarri pistoletë që dyshohet se shtetasit P.Sina, e R.Sina, kanë qëlluar duke plagosur Endri Sinën.

Gjithashtu në vendngjarje janë sekuestruar gjashtë gëzhoja të qitura nga të dyja armët.

Grupi hetimor në vendngjarje po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes./a.y/noa.al 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd