Transmetuar më 07-02-2017, 14:46

Bruksel, 7 shkurt 2017, NOA.al- Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, po zhvillon takime në Bruksel në kuadër të vizitës së tij zyrtare.

Ditën e sotme ai është pritur nga drejtori i Përgjithshëm i Zyrës Europiane e Anti-Mashtrimit (OLAF), Giovanni Kessler të Komisionit Europian, ku ka diskutuar lidhur me forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit.

Llalla, informoi zotin Kessler lidhur me përpjekjet e autoriteteve shqiptare në luftën kundër korrupsionit, si edhe me masat e reja legjislative për forcimin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë.

Për Prokurorin e Përgjithshëm, lufta kundër korrupsionit është një prej prioriteteve madhore të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian.

“Për këtë arsye përvoja e autoriteteve të Brukselit në këtë drejtim do të shërbejë për forcimin e mekanizmave hetimorë”, tha kryeprokurori.

Kjo është vizita e parë zyrtare e kryeprokurorit jashtë vendit, pas përplasjeve me deklarata me ambasadorin amerikan Donald Lu, i cili tha se Llalla është kundër reformës në drejtësi, duke sjellë reagimin e Prokurorisë ndaj ambasadorit, të cilin e akuzuan për shantazh.

Zyra Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF) është organi i vetëm i BE-së i mandatuar për të zbuluar, hetuar dhe ndaluar mashtrimin me fondet e Bashkimit Europian.

Kjo zyrë ka një status të pavarur në funksionimin e saj dhe është pjesë e Komisionit Europian.

Drejtori i Përgjithshëm i OLAF, Giovanni Kessler është emëruar në këtë detyrë nga Komisioni Europian në vitin 2011, për një mandat 7-vjeçar. 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd