Transmetuar më 07-02-2017, 13:35

Kantautori shqiptar Ermal Meta do të performojë sot në natën e parë të Festivalit Kombëtar të këngës italiane “Sanremo 2017″.

Kantautori shqiptar është një nga 22 këngëtarët e zgjedhur në garën për kategorinë “kampioni”, përkrah emrave të njohur të muzikës italiane si Albano, Fiorella Manoia, Gigi D’Alessio, Paola Turci, Nesli, Fabrizio Moro, Michele Zarrillo etj.

“Sanremo për mua”, u shpreh ai për mediat italiane, nuk është një garë, pasi kur flitet për muzikë nuk mund të flasësh për garë. Është sikur të gërmosh në ujë. Pra e pamundur!”

Kënga e Ermal Metës mban titullin “Vietato di morire”, “E ndaluar të vdesësh” dhe konsiderohet nga kritika italiane si teksti më i mirë i këngëve pjesëmarrëse në ‘Sanremo 2017’.

Kjo këngë është një kauzë e fortë kundër dhunës në familje, dhunës ndaj gruas, dhunës ndaj nënës, ndaj fëmijës, dhunës ndaj çdo qenie humane. Është një rrëfim autobiografik i kantautorit shqiptar. 

Në konferencën e shtypit të prezantimit të pjesëmarrësve të këtij Festivali, Ermal Meta është shprehur se “kjo këngë, e ky tekst nuk është vetëm historia ime që kam fatin ta tregoj. Por është një temë aktuale, që dëshiroj shumë që t’i përkiste të shkuarës e jo të tashmes.”

Festivali i këngës italiane ‘Sanremo 2017’ do të zhvillohet prej ditës së sotme deri 11 shkurt. Ky Festival do të drejtohet nga prezantuesit Karlo Konti e Maria De Filipi./atsh/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd