Transmetuar më 06-02-2017, 13:14

Kryeministri Rama tha sot se reforma në drejtësi nuk është reformë në interes të politikanëve por të qytetarëve.

“Kjo reformë nuk është për ne, në kuptimin e interesit tonë, por është për ju. Drejtësia e re, nuk na duhet thjesht për disa pushtetarë të korruptuar që duhet të marrin ndëshkim, por na duhet në radhë të parë për çdo qytetar që te dera e gjykatës duhet të marrë drejtësinë që i takon dhe jo të hajë çekiçin kokës nga gjykatësi sepse nuk kishte para të paguante për drejtësinë dhe dikush tjetër ia bleu përmes gjykatësit drejtësinë”.

Sipas Ramës, “është një reformë themelore që shkon përmes funksionit të të bërit shteti dhe që kalon përmes vettingut”.

“Vettingu nuk është as për mua as për ambasadorin amerikan as për prokurorin e përgjithshëm as për X apo Y tjetër. Është për njerëzit e zakonshëm të këtij vëndi që më në fund të çlirohen nga kthetrat e prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar që i morën frymën këtij populli 25 vjet”, – tha z.Rama.

“Zbatimi i “Vetting”-ut është i rëndësishëm për të nisur sa më parë, pasi do t’i japë fund frymës së korrupsionit që ka zënë qytetarët shqiptarë në 25 vitet e fundit”, – shtoi Rama, gjatë një aktiviteti të OSHEE-së, ku ka prezantua skemat lehtësuese për abonentët përfitues. 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd