
Tiranë, 6 shkurt 2017, NOA.al- Kryedemokrati Lulzim Basha fton gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e protestës së 18 shkurtit.
Në përfundim të një takimi që zhvilloi ditën e sotme me të rinjtë e njësisë nr.2 në kryeqytet, ai tha se rinisë i është lënë emigracioni si rruga e vetme, ndërsa tha se është e persekutuara kryesore e këtyre viteve.
Sipas tij, kriminelët bëhen deputetë dhe kryebashkiakë, ndërsa rinia dhe të mençurit shkojnë në emigracion.
“Kjo duhet të marrë fund, këtë e kanë në dorë qytetarët, rinia. Ndaj në 18 shkurt ngrihuni të gjithë. Rinia e Tiranës është gati, u bëj thirrje të gjithëve të bashkohen në protestën e madhe, fati i qytetarëve, në dorën e qytetarëve. Kasta e korruptuar politike në pushtet, dëshiron ta mbajë Shqipërinë të nëpërkëmbur, por do e marrë përgjigjen në 18 shkurt”, u shpreh ai.
Duke komentuar protestën e 18 shkurtit tha se ky është fillimi i një lëvizje për të ndryshuar njëherë e përgjithmonë fatet e vendit.
Sipas kreut të PD, askush nuk i beson një Kryeministri që nuk ka hapur asnjë vend pune, ndaj tha se në 18 shkurt nuk ka rrugë tjetër veçse të gjithë të nisen bashkë.
“Në 18 shkurt nis një proces i pakthyeshëm, një lëvizje mbarëpopullore, për t’i dhënë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe përmes tyre një qeveri qytetare”, deklaroi Basha./a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





