
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta në mesazhin e tij përcjellë në ceremonialin shtetëror të Dritëro Agollit e cilësoi atë si një ndër yjet më të shndritshëm të qiellit europian të Shqipërisë.
“Është një dhimbje shumë e thellë, trishtim pa fund për disa breza të cilët ishin lexues të Dritëroit, ishin bashkëkohës të tij dhe do të jenë sërish lexues të Dritëro Agollit, sepse Dritëroi ishte dhe do të mbetet i të gjithëve”, deklaroi Meta.
“Ishte e vështirë të gjeje fjalët e duhura edhe dikur kur e kishim përballë në tryezë, pavarësisht se në bisedë ofronte gjithmonë modestinë e barabartë”, tha më tej kreu i Kuvendit. Fjalët, tha ai, janë të pamundura për të shprehur edhe dhimbjen për ikjen e tij edhe trishtimin për largimin që vendosi të bëj, por edhe krenarinë për bashkëkohësinë me Dritëroin.
Sepse, vijoi Meta, Dritëroi është më shumë se vetëm një poet dhe shkrimtar, është një mitagjik i letërsisë shqiptare dhe një njeri i madh i mendimit, është filozof serioz dhe mjeshtër i humorit, edhe poet, edhe romancier, edhe eseist, edhe politikan i klasit të parë dhe reformator, edhe nxënës i urtë i urtësisë popullore edhe profesor i vyer i vet profesorëve.
“Ai është edhe Naimi që i këndoi dheut të Shqipërisë, edhe Noli mendjendritur edhe Lasgushi që drithëronte për dashurinë. Dritëroi është dritë e pikë referimi për të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen tonë të përbashkët, ishte dera ku trokisnim të gjithë për një mendim të mençur, ishte miku që e donin me shpirt miqtë dhe e respektonin pa kushte kundërshtarët. Dritëroi ishte, është e do të jetë reflektimi që erdhi nga e shkuara dhe mendimi ynë për të nesërmen europiane”, u shpreh më tej Meta.
Ishte, vijoi z. Meta, forca e talentit që buron nga populli dhe madhështia e të qenit njeri i madh dhe i mirë.
“Shqipëria ishte më e pasur me Dritëroin e saj. Sot ajo është më e varfër me mungesën fizike që e bën, sidoqoftë, praninë e tij shpirtërore edhe më të fortë. Ky është rregulli, por Dritëroi ynë është një përjashtim i rrallë, sepse Dritoëroi e ndërtoi vet bronxin e monumentit të tij “, shtoi Meta.
Dhe këtë monument në bronz e letër, e vijoi z. Meta fjalën e tij, ky klasik i letërsisë, mirësisë e mendimit ia dhuroi përjetësisë së gjithë shqiptarëve.
“Dritëroi është madhështia e thjeshtësisë, në të 85-ën e tij, është në piedestalin e mirënjohjes së një populli që e deshi shumë kudo ku jetojnë e flasin shqip”, tha Meta.
“Sot me këtë ikje që bën, ku fjalët janë të vështira për t’u thënë për mjeshtrin e fjalës, kur ai i kthehet dheut që i përkiste, si fara që rimbillet në tokë, të gjithë ne e shohim siç është, një nga yjet më të shndritshëm të qiellit europian të Shqipërisë, sepse poetët dhe shkrimtarët mbeten gjithmonë . Dritërofsh gjithmonë Dritëroi ynë!”, u shpreh kryetari i Kuvendit, Meta.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





