Transmetuar më 04-02-2017, 21:50

Policia e Shtetit njoftoi sonte se në sajë të një bashkëpunimi mes saj, Guardia di Finanza në Shqipëri dhe Itali, Frontex dhe Policisë Greke, u bë e mundur të ndalohet një skaf me 4 motorë dhe me sasi të konsiderueshme lënde narkotike. 

Pas 6 orë ndjekjeje nga ana e forcave të policisë të tre vendeve me mbështetjen e avionëve të Frontex, arritën të bllokojnë skafin oqeanik.

Tre personat që ndodheshin në bord janë ende ne kërkim pasi kanë arritur të largohen duke shfrytëzuar errësirën dhe terrenin e vështirë. 

Lënda narkotike është akoma duke u mbledhur pasi ishte hedhur në det.

Operacioni nisi rreth orës 14:00 datë 03.02.2017.

Për kapjen e tij u organizua dhe u krye një operacion shumë palësh me pjesëmarrjen e forcave e mjeteve të PKM, Rojës Bregdetare Shqiptare, Guardia di Finanza dhe Rojës Bregdetare të Korfuzit ku pas rreth 6 ore ndjekjeje u bë e mundur kapja e skafit në Karaburun.

Duke përfituar nga errësira, tre personat që gjendeshin në skaf, për t’i shpëtuar kapjes së Policisë, e hodhën lëndën narkotike në det dhe u larguan duke u fshehur në pyll.  

Vijon puna për kapjen e tyre dhe grumbullimin e lëndës narkotike.

Po ashtu gjatë këtij operacioni, në perëndim të Sazanit u kap edhe një gomone e cila dyshohet se vinte nga Italia për t’u ngarkuar me lëndë narkotike në vendin tonë. 

Në bordin e gomones u kapen shtetasi shqiptar A.Gj, 54 vjeç nga Vlora dhe shtetasi italian F. P. 39 vjeç nga Brindizi. 

Nga Policia po punohet për kapjen e personave të larguar dhe zbardhjen e mëtejshme të dy rasteve. 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd