Transmetuar më 03-02-2017, 12:10

Tiranë, 3 shkurt 2017, NOA.al- Presidenti Bujar Nishani mblodhi sot në mesditë Këshillin për Sigurinë Kombëtare, për të kërkuar informacion lidhur me mos arrestimin e të shpallurit në kërkim për trafik droge Kelment Balili.

Në mbledhjen e sotme e nisur pak pas orës 12.00 në Presidencë, mungon Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Kosovë, ndërkohë që Presidenti refuzoi ditën e djeshme, që kreu i qeverisë të zëvendësohet nga zv.Kryeministri Niko Peleshi.

Presidenca argumentoi se Kryeministri duhet të ishte vetë i pranishëm duke pasur parasysh objektin e diskutimit.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura, e thirrur nga kreu i shtetit ka mbërritur Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, kreu i Kuvendit Ilir Meta, drejtori i Policisë së Shtetit Haku Çako, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ministri i ri i Drejtësisë Petrit Vasili, ministri i Financave Arben Ahmetaj, ministri i Transportit Sokol Dervishaj, ministri i Energjisë Damian Gjiknuri, kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, kreu i komisionit parlamentar të Sigurisë Spartak Braho, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Mbledhja e Këshillit të Sigurisë, vjen pas kërkesës së bërë nga kryeparlamentari Ilir Meta./a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd