
Presidenti Bujar Nishani e priti në orët e mbrëmjes së të enjtes ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Donald Lu. Pak pas orës 19:10 minuta, kryediplomati i Uashingtonit hyri në derën qendrore të Presidencës për t’u takuar me kreun e shtetit. Paraditen e sotme u tha se Presidenti Nishani kishte refuzuar një takim me ambasadorin Lu.
"Për Presidentin e Republikës, Bujar Nishani akuzat e adresuara sot ndaj Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla janë shumë të rënda dhe për to kërkohet një sqarim në rrugë institucionale zyrtare.
Në adresë të Presidentit të Republikës, më herët nuk ka mbërritur asnjë shqetësim nga partnerët strategjikë të Shqipërisë sa i përket rolit të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla ndaj dhe Bujar Nishani në cilësinë e kreut të shtetit ka kërkuar kohë të nevojshme për tu njohur më në detaje lidhur me pretendimet e ngritura sot publikisht nga ambasadori amerikan”, u tha gjatë paradites nga burime nga Presidenca.
Ndërkohë fill pasi akuzoi Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llala për shkelje të Kushtetutës dhe për faktin se për 18 muaj me radhë ka qenë kundër reformës në drejtësi, ambasadori i SHBA-ve Donald Lu pati sot takime “kokë më kokë” me zyrtarë të lartë në Kryeministri dhe me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





