Transmetuar më 02-02-2017, 14:40

“Maria ishte e dashuruar me Jozefin. Dhe është normale të bësh seks”. Janë këto fjalët jashtë dogmave të kishës, të thëna në një intervistë televizive në Spanjë, nga një murgeshë.

Pas deklaratave të saj ku hedh dyshime se Shën Mëria nuk ishte e virgjër, në Spanjë plasën politikat dhe kritikat.

Murgesha Lucia Caram, një besimtare argjentinase e cila prej shumë kohësh jeton në Barcelonë, nuk është e re në deklarata të tilla. Por fjalët e saj lidhur me virgjërinë e Shën Mërisë, kaluan çdo limit të mëparshëm.

Kisha spanjolle doli me një reagim pas deklaratës së murgeshës duke thënë, “Bën pjesë në besimin e Kishës, qysh në fillim që Maria është e virgjër”.

Sekretari i konferencës ipeshkvnore të Spanjës, José Maria Tamayo, tha se deklarata e saj shkakton konfuzion te besimtarët.

Më shumë se 12 mijë qytetarë firmosën një peticion në Change.org për të kërkuar pezullimin e murgeshës.

Murgesha, siç shkruan noa.al, ishte ftuar në programin “Chester in Love” të televizionit privat “Cuatro”, për të folur rreth seksit.

“Kam hequr dorë nga marrëdhëniet seksuale, por gjithsesi jam femër, ndjej ato që ndjej. Seksi është një formë shprehjeje dhe jetese, për të shprehur ndjenjat. Për kishën kjo është një temë e pistë dhe fshehtë. Por unë mendoj se është një bekim”, tha ajo.

Pas irritimit te qytetarëve deklaroi për mediat se, “Nëse dikush ndihet i fyer kërkoj ndjesë. Leximet dhe shprehjet e fragmentuara, janë perverse”./a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd