


Tiranë, 2 shkurt 2017, NOA.al- Ambasadori amerikan në vendin tonë, Donald Lu, ngre alarmin lidhur me rrezikun që u kanoset zgjedhjeve dhe sulmon kryeprokurorin Adriatik Llalla, duke thënë se është kundër reformës në drejtësi.
“Nëse ne, shoqëria civile, partnerët ndërkombëtarë dhe media nuk jemi sy shqiponja, politikanë, gjykatës dhe prokurorë të korruptuar dhe krerë të krimit do të përpiqen të vjedhin zgjedhjet, reformën në drejtësi dhe gjithçka tjetër në ekonominë e vendit. Po shohim njerëz të fuqishëm që po përpiqen të ruajnë kontrollin e tyre mbi gjykatën dhe prokurorinë”, u shpreh Lu.
Deklarata e tij u dha ditën e sotme gjatë një aktiviteti me temë “Pjesëmarrja qytetare me shoqërinë civile”, nga ku tha se ambasada amerikane është duke e ndjekur me vëmendje procesin e zgjedhjes së anëtarëve në institucionet e reja të drejtësisë.
Në këtë drejtim shtoi se, “Prokurori i Përgjithshëm për 18 muaj ka folur kundër reformës në drejtësi. Në hedhjen e shortit për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, prokurori dhunoi Kushtetutën. Ai zgjodhi vetë tre pozicionet. KED duhet t’i nënshtrohet menjëherë Vettingut, pasi disa anëtarë të sapozgjedhur dhanë menjëherë dorëheqjet”.
Në këtë linjë deklaroi në muajt nëntor dhe dhjetor prokurorët u përpoqën dhe dështuan të sekuestronin serverin e kompjuterave të ILDKPI që është jetik për Vettingun dhe se të premten e shkuar u hodh shorti për anëtarët e Këshilli të Emërimeve në Drejtësi, një prej institucioneve të reja që mbron pavarësinë e gjyqësorit.
Sipas tij, shorti u drejtua siç duhet nga sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, por Prokurori i Përgjithshëm dhunoi frymën e Kushtetutës duke dërguar një listë me 3 prokurorë për të plotësuar 3 pozicione.
Ambasadori sqaroi se Kushtetuta është e qartë se këta anëtarë duhet të zgjidhen me short që këta anëtarë të këshillit duhet të përzgjidhen me short Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe KLD dorëzuan listën me persona të kualifikuar.
Ai tha se, prokurori zgjodhi tre pozicione duke dërguar një listë me 3 emra të përzgjedhur pa transparencë për të plotësuar tre poste.
“Fatmirësisht ekspertët shqiptarë dhe ndërkombëtarë që hartuan këtë reformë parashikon që njerëz të fuqishëm do të përpiqeshin të manipulonin këshillat. Në kushtet kur thuhet se anëtarët e KED duhet ti nënshtrohen menjëherë Vettingut. Disa anëtarë të Këshillit kanë dhënë dorëheqjen në vend që të përballeshin të parët me Vettingun. Ne do ti ndjekim nga afër për të parë nëse komisionet e Vettingut do të përmbahen kësaj kërkese kushtetuese dhe nëse të gjithë anëtarët e KED do të kalojnë procesin e Vettingut. Populli shqiptar duhet ti tregojë këtyre njerëzve të fuqishëm që po vëzhgohen”, deklaroi Lu.
Ambasadori bëri me dije se javën tjetër do të vijnë gjyqtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian për të monitoruar procesin, duke nënvizuar se monitoruesit nuk do të lejojnë korrupsion dhe paaftësi.
Lu deklaroi se shpreson që kjo gjë të funksionojë, ndonëse tha se zgjidhja nuk vjen asnjëherë nga jashtë, por duhet të vijë nga brenda./a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





