Transmetuar më 02-02-2017, 07:29

Kryeministri Edi Rama komenton shkarkimin e ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani. Ai thotë se nuk mund të ekzistojë një qeveri serioze në botë nëse një ministër nuk respekton skuadrën, rregullat dhe mbi të gjitha detyrat.

Sipas tij, detyra e ministrit është të bëjë të gjithë detyrat që mbulon portofoli i tij dhe jo të bëjë opinionbërësin, opoiniondhënësin apo opiniontjetërsuesin e qeverisë.

“Nuk ka asnjë problem ta bëjë këtë jashtë radhëve të kabinetit qeveritar. Qeveria ka një kod etik të miratuar me konsensus që përcakton saktësisht marrëdhëniet e çdo anëtari të kabinetit me kabinetin dhe publikun, Ministri ka detyrimin të flasë me publikun, por ti shërbejë publikut si anëtar i qeverisë”, u shpreh Rama në emisionin “Tonight” të Ilva Tares.

Më tej ai shtoi se zgjedhja e ministrit të ri do forcojë dhe përmirësojë marrëdhënien e qeverisë me Kuvendin dhe do jetë një nxitje mjaft e nevojshme për të çuar përpara reformën në drejtësi.

Lidhur me akuzat e ashpra për hashashin, implikimin e policisë dhe rrezikun që mund të kenë zgjedhjet nga policia, nga ana e ministrit të Mjedisit Lefter Koka, ai deklaroi se nuk i merr seriozisht burrat me kostum që flasin pas pilafit, por dhe gjatë pilafit në politikën tonë.

“Di dhe të bëj dallimin mes një ministri që në mënyrë të përsëritur ka shkelur kodin etik të qeverisë dhe ka shkelur kontratën tonë me publikun dhe të një ministri që ka të drejtën dhe ai të bëjë një gabim, jam i bindur që nuk do përsëritet dhe uroj që bindja ime të provohet në realitet pasi në rastin e ministrit tjetër mendoj se bëhet fjalë për një anëtar kabineti që ka qenë gjatë gjithë kryerjes së detyrës një pjesëtar skuadre që ka respektuar skuadrën, pozicionin e tij në raport me detyrën dhe publikun”, tha Rama.

I pyetur nëse ministrin Koka e ka falur, Kryeministri u shpreh se, “Nuk fola për falje, fola për drejtën që çdo njeri ka për të gabuar njëherë”./a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd