Transmetuar më 01-02-2017, 18:59

Shkëlzen Berisha e ka cilësuar një skenar politik gjithçka ndodhi në Komisionin Hetimor për ÇEZ. Pasi u largua nga Kryesia e Kuvendit, në një prononcim për mediat në përfundim të mbledhjes, Shkëlzen Berisha ka sqaruar qëndrimin e tij për të refuzuar betimin para kryetarit të komisionit. 

“Personi që drejton komsionin është dënuar nga Gjykata e Apelit të Tiranës për shpifje ndaj meje dhe madje refuzon të zbatojë vendimin. Atëherë, përse duhet që, me gjithë deputetët që ka Parlamenti, ky komision të drejtohet nga ky deputet?”, ka thënë Berisha. 

Ai ka fajësuar pikërisht kryetarin Balla për dështimin e dëshmisë. “Ai nuk pranoi t’ia linte vendin një deputeti tjetër dhe dëshmia dështoi”, ka thënë i biri i ish-kryeministrit.

“Unë nuk pranoj të bëj një betim para një njeriu të dënuar për shpifje. Zotëria mund të çohej dhe t’ia lironte vendin një nga kolegëve të tij, nuk deshi sepse nuk është i interesuar për të vërtetën por për interesin politik”, u shpreh ai më tej.

Ndërsa i pyetur nëse e njeh zotin Nuel Kalaj, Shkëlzen Berisha deklaroi se ka deklaruar edhe më parë se ai nuk ka lidhje as me zotin Kalaj dhe as me zotin Ismaili, si dhe me aktivitetet e tyre dhe as punën e Komisionit.

“Nëse zotin Kalaj nuk e thërrasin se nuk e gjejnë dot, po zotin Ismailaj pse nuk e thërrasin në Komision, nuk e gjejnë dot se ku është? Kjo është e ezauruar. Nuk e di çfarë provash ka administruar ky Komision, asnjë prej jush nuk ka parë nëse këto prova kanë qenë të çertifikuara me origjinalin, kanë ardhur ta apostiluara, janë apo nuk janë prova reale nuk mund ta them dot.

Unë kam bërë deklaratën publike, kam theksuar qartë se nuk kam asnjë lidhje as me personin dhe as aktivitetet e tyre dhe asgjë tjetër. Për fat të mirë kjo punë ka dëshmitarë, mund të pyeten të gjithë dhe mund të flasin”, përfundon fjalën Berisha.

Ndërkohë pas prononcimit të Shkëlzen Berishës, ka reaguar para gazetarëve edhe kreu i këtij komisioni Taulant Balla, i cili tha se kjo çështje nuk mbyllet këtu por do t’i shkohet deri në fund. Duke folur në dalje nga Kuvendi, deputeti Balla tha se sekseri Nuel Kalaj së bashku me ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe djalin e tij Shkëlzen Berisha, është një dakordësi për të shmangur dëshmitë e tyre përpara këtij komisioni.

Kjo pasi sipas Ballës, ekzistojnë prova të forta që mes këtyre tre personave janë kryer afera korruptive lidhur me privatizimin e OSHEE dhe marrëveshjen me CEZ. Për kreun e Komisionit Hetimor, është hera e parë që puna e një komisioni parlamentar është e vendosur të shkojë deri në fund, duke shtuar se kanë prova të rënda kriminale ndaj tre dëshmitarëve të lartpërmendur.

“Shuma është e madhe, gati 7 milionë euro. Personi të cilin po hetojmë, është një person, i quajtur Nue Kalaj. Personi nga të dhënat zyrtare dhe e-mailet, tregon se ka qenë i lidhur shumë me ish-kryeministrin Sali Berisha. Në një e-mail përmendet edhe emri i Shkëlzen Berishës. Ndaj ishte e nevojshme edhe dëshmia e tij. Tani për fat të keq, Nue Kalaj nuk paraqitet në Komision Hetimor, Sali Berisha ka dhënë një dëshmi e cila është e pavlefshme pasi nuk ka kryer betimin, dhe personi tjetër Shkëlzen Berisha nuk pranon të bëjë betimin, dhe kjo bën të pavlefshme dëshminë.

Unë mendoj se këta të tre kanë një dakordësi për të mos furnizuar komisionin me informacionin e kërkuar. Unë dua të them që ne do të insistojmë të marrim dëshmitë e Nuel Kalajt dhe Shkëlzen Berishës. Për herë të parë në këto 25 vjet, nuk ka pasur një Komision tjetër parlamentar për t’i shkuar gjërave deri në fund. Ne veprën e krimit e kemi gjetur, janë paratë. Ryshfetin e kemi gjetur.

Tani kemi gjetur edhe sekserin, që është Nuel Kalaj, dhe nuk hezitoj ta quaj sekser të rëndomtë për aq kohë sa ai nuk vjen të dëshmojë në komision. Tani zoti Kalaj nuk është larg, vetëm disa km larg nga Tirana sepse ndodhet në Prizren. Ai nuk ka paraqitur asnjë aryse për mosparaqitjen. Ne kemi prova të paimagjinueshme, s’keni parë gjë akoma”, tha Balla./b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd