Transmetuar më 01-02-2017, 13:38

Tiranë, 1 shkurt 2017, NOA.al- Një operacion i policisë së kryeqytetit i koduar “Drejtësia” ka vënë në pranga tre persona, pas publikimit të një video- përgjimi ku i ofrohej ryshfet një gjyqtareje në këmbim të lirisdë së një të dënuari.

Pas hetimeve tre mujore, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda, gjatë ditës së djeshme u vu në pranga 52- vjeçari Gjin Marku, lindur në Pukë dhe banues në Fushë – Mamurras.

Arrestimi u i tij me vendim gjykate pasi me veprime aktive ka kërkuar 3000 euro në mënyrë sistematike për ti paguar tek gjyqtari i çështjes gjyqësore penale, për të dhënë një pafajësi.

Ndaj tij vijojnë ende hetimet për zbardhjen e të gjithë rrethanave dhe lidhjeve të tjera, për veprat penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i Gjyqtarit, Prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Korrupsioni pasiv i Gjyqtarit, Prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Gjithashtu u vu në pranga edhe Selajd Kapaj, 28 vjeç, banues në Tiranë, sepse ishte shpallur në kërkim për “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Krahas tij u bë arrestimi edhe i të shpallurit në kërkim Behar Kola, 51 vjeç, banues në Tiranë, i punësuar në grupin e shoqërimit në Drejtorinë e Burgjeve, për veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i Gjyqtarit, Prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Korrupsioni pasiv i Gjyqtarit, Prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”./a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd