
Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani i është përgjigjur deklaratave të zëvendëskryeministrit Niko Peleshi dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në lidhje me shkarkimin e tij, pak orë pasi dy eksponentët socialistë folën për mediat lidhur me të ardhmen e koalicionit dhe largimin e Manjanit nga qeveria.
Manjani thotë është i të njëjtit mendim me Niko Peleshin, që u shkarkua nga kryeministri, vetëm e vetëm sepse foli.
Ndërsa z. Veliaj, Manjani i sugjeron që të mos merret me “anijen” e qeverisë, por me atë të bashkisë.
Deklarata e Manjanit, për Niko Peleshin
“E falënderoj me shumë sinqeritet Zëvendëskryeministrin sepse në të dyja qëndrimet e tij (dje dhe sot) për shkarkimin tim ka thënë të vërtetën. Jam shkarkuar sepse fola!
Këtë thashë dhe unë dje!
Nuk e di a e ka lexuar motivacionin e shkarkimit tim Zv/Kryeministri, por e vërteta është ajo që themi ne të dy: "u shkarkua sepse foli". Pra nuk u shkarkova për marrëdhënie më të mira me Kuvendin sepse këtë mandat e ka kolegia ime (edhe këto ditë) Ermonela Felaj dhe as për progresin e Reformës në Drejtësi, mandat të cilin mazhoranca ka kohë që e ushtron në Parlament.
Faleminderit Niko që edhe ti flet dhe thua të vërtetën!”.
Reagimi për Peleshin erdhi pas dy daljeve publike dhe dhe sot të zv.kryeministrit.
Sot, Peleshi u shpreh: “Edhe në emër të qeverisë, mund t’ju rikonfirmoj që ne kemi një dhe vetëm një qasje në koalicion. Qasja jonë është strategjike, nuk është një qasje taktike. Natyrisht mirëkuptojmë, dhe nuk është në dorën tonë që partitë në koalicion të kenë qasjet e tyre taktike, por kjo nuk ndryshon qasjen tonë strategjike te koalicionit në bashkëqeverisje. Kështu është sot, kështu do të jetë edhe nesër. Natyrisht që le ta dëgjojë edhe komuniteti, populli, por edhe partitë tona aleate se strategjia jonë për të qeverisur vendin në ritmin e padevijuar të reformave, – të cilat nuk janë të thjeshta dhe kërkojnë punë të palodhur, të cilat kërkojnë angazhim dhe nuk na lënë kohë të lirë për taktika, – nuk do të ndryshojë.
Ndërsa i pyetue se çfarë kishte të vërteta deklarata e zotit Manjani, Peleshi tha: “Ato deklarata vetëm sa shpjeguan shumë qartësisht arsyet, e kam thënë edhe një herë në një prononcim, sepse ai vendim që u mor për shkarkimin e zotit Manjani ishte i drejtë”.
Deklarata e Manjanit për Veliajn
“Së dyti mikut tim Erion Veliaj i kam dhënë votën për kapiten të Tiranës dhe kam bërë mirë. Të paktën deri tani Erioni e ka justifikuar besimin!
Jam i bindur tashmë se asnjë kandidat tjetër që përflitej asokohe nuk do ishte në lartësinë e Erionit.
Këshilla ime për Erionin është ta lërë atë "kapitenin" tjetër në anijen e vet! Është anije krejt tjetër ajo e atij "kapitenit" që shtyn dhe mbledhjen e radhës të qeverisë se nuk duron dot asnjë kontribut në favor të bashkive!
Ka harruar se ka qenë dikur në atë anijen ku je ti sot!”
Reagimi për Veliajn erdhi pas prononcimit të tij sot për media pas mbledhjes së Kryesisë së PS. Erion Veliaj u pyet se çfarë mendonte për shkarkimin e z. Manjani dhe tha: “Unë nuk jam anëtar i qeverisë, por di të them këtë, që në një qeveri dhe një ekip ku unë kam bërë pjesë, që është ekipi i Edi Ramës i cili është dhe kapiteni, sigurisht që është drejtimi i kapitenit, ashtu si në çdo lojë tjetër, ai që i jep vizionin qeverisë, që mbledh skuadrën dhe që vendos se kush rri dhe kush ikën nga skuadra. Në një moment u vendos që unë të lija skuadrën për të ndërtuar një ekip tjetër, ndaj dhe them që ka gjëra shumë më të rëndësishme dhe ka më shumë gjëra që na bashkojnë sot”. /noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





