
Themeluesi dhe drejtuesi i Lëvizjes “Zgjidhja” për reformimin e Partisë socialiste, Koço Kokëdhima, theksoi se udhëheqja është e shkëputur nga baza socialiste. Gjatë bashkëbisedimit me socialistët në Fierit Kokëdhima tha se “Zgjidhja” është një lëvizje politike e socialistëve të bazës, brenda Partisë Socialiste.
“Ajo nuk është kundër askujt, është gjithëpërfshirëse dhe në të mirë të qytetarëve të thjeshtë. Zgjidhja nuk e përçan partinë, e bashkon, nuk nxit largimet prej saj, e zmadhon dhe e hap atë, nuk do që në parti të ketë vend vetëm për ata që pëlqen kryetari dhe që i shërbejnë pushtetit të tij, por të ketë vend dhe të luftohet për lumturinë e të gjithëve”, deklaroi Kokëdhima.
Më tej ai shtoi se aq e shkëputur është udhëheqja nga baza sa me të drejtë mund të themi se kemi dy parti socialiste, partinë e bazës dhe partinë e udhëheqjes.
“Kjo partia e bazës nuk ndihet e përfaqësuar nga partia e udhëheqjes. Partia e udhëheqjes e gënjen, e abuzon, e shfrytëzon, takohet me të vetëm, në kohë fushatash elektorale, pastaj nuk e njeh më, nuk e dëgjon, nuk i hap telefonin, nuk e shërben, nuk do t’ia dijë për të”, tha Kokëdhima.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





