
Mobilizimi për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por dhe fati i koalicionit me partnerin në qeverisje LSI, ka qenë në fokus të diskutimeve të Kryesisë së Partisë Socialiste e cila zhvilloi pasditen e sotme mbledhjen e parë për këtë vit të thirrur nga Rama. Menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, Zëvendëskryeministri Niko Peleshi në një deklaratë për mediat theksoi se e vetmja rrugë për partinë e tij është strategjia.
“Kemi një program shumë ambicioz, jemi në muajt e fundit të mandatit të parë duke u përgatitur për sfidën e radhës, zgjedhjet që do ta çojnë PS në mandatin e saj të dytë. Krahas punës për hartimin e programit për mandatin e dytë kemi nevojë të përçojmë në komunitet mesazhet dhe nevojën e një bashkëpunimi, mbështetje të padeformuar të gjithë institucionit tonë të qeverisjes në çdo familje, çdo fshat, çdo qytet dhe grup interesi. Ky është misioni ynë dhe fokusi jonë i pandryshuar. Mbledhja e Kryesisë ishte një mbledhje e zakonshme që i shkon për shtat pikërisht kësaj filozofie”, u shpreh Peleshi.
Ndërsa i pyetur nëse gjatë mbledhjes u diskutua për shkarkimin e ministrit të drejtësisë Ylli Manjani, koalicionin, zëvendëskryeministri rikonfirmoi edhe në emër të Kryesisë se ata kanë një qasje në koalicion, që është qasja strategjike, dhe jo taktike.
“Mirëkuptojmë dhe nuk është në dorën tonë që partitë në koalicion të kenë qasjet e tyre taktike, por kjo nuk ndryshon qasjen tonë strategjike të koalicionit në bashkëqeverisje. Kështu është sot dhe kështu do jetë dhe nesër. Le ta dëgjojë dhe komuniteti, populli, por dhe partitë tona aleate se strategjia jonë për të qeverisur vendin në ritmin e padevijuar të reformave që nuk janë të thjeshta dhe kërkojnë punë të palodhur, të cilat kërkojnë angazhim dhe nuk na lënë kohë të lirë për taktika, nuk do ndryshojë”, tha Peleshi.
Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është shprehur se, “çdo harxhim kohe me telenovela dhe gjëra të së shkuarës nuk i bëjnë mirë Shqipërisë”.
“Ekipi është më i rëndësishëm se individët dhe kur ekipi punon i bashkuar nuk ka gjë që nuk arrihet”, ka thënë Veliaj. “Në një skuadër si ajo e drejtuar nga Edi Rama, që është kapiten, është ai që vendos”, ka vijuar ai.
Sa i takon koalicionit qeverisës, ai ka theksuar se bashkëpunimi me LSI është konceptuar për një plan afatgjatë. “PS i ka ndezur motorët për një koalicion strategjik në zgjedhje. Aleanca me LSI është një projekt strategjik që shkon përtej një mandati”, ka thënë Veliaj./b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





