Transmetuar më 31-01-2017, 14:57

Mirësia e njerëzve është diçka magjike dhe mund të shërojë nga ajo që mjekët nuk munden. Për këtë është i bindur aktori i ri i Hollywood, 31- vjeçari Chris Salvatore, i cili kohëve të fundit ka “adoptuar” fqinjen e tij të moshuar, duke e marrë që të jetojnë bashkë.

89- vjeçarja Norma Cook, është e sëmurë me leuçemi dhe gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar ndjeshëm, kështu që Chris e mori në shtëpinë e tij për ta kujdesur dhe për t’i qëndruar pranë për çdo gjë që ajo ka nevojë.

Ata u takuan për herë të parë, para katër vitesh, kur Chris u transferua në shtëpinë pranë Normës, e cila para dhjetë vitesh ishte diagnostikuar me sëmundjen.

Gruaja u divorcua kur ishte 43 vjeçe dhe nuk ka fëmijë dhe as të afërm në zonën ku jeton, në mënyrë që të kujdesen për të.

Kështu, siç shkruan noa.al, Chris vendosi të krijojë një faqe në GoFundMe, për të mbledhur paratë e nevojshme për të mbuluar shpenzimet mjekësore të saj.

Pas një muaji nga kjo nismë, Chris e mori Normën në shtëpinë e tij në California.

“Ka qenë mikja ime më e mirë në vitet e fundit dhe tashmë jam kujdestari i saj. Kemi një lidhje shumë të ngushtë me njëri tjetrin. Më quan nipin që nuk e pati kurrë. Jam me fat që e kam takuar, më ka bërë një njeri më të sjellshëm dhe të dhimbsur. Ndihem i nderuar që i kam kaluar momentet e fundit me të”, thotë ai.

Chris e ndau historinë e tij me mediat, në mënyrë që të sensibilizojë sa më shumë njerëz që t’u vijnë në ndihmë të tjerëve./a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd