Transmetuar më 31-01-2017, 13:40

Tiranë, 31 janar 2017, NOA.al- Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, inspektoi ditën e sotme linjat e transportit publik për cilësinë e shërbimit, në kuadër të riorganizimit të shërbimit për transportin urban.

Veliaj inspektoi linjën e re të Kasharit, e cila i është shtuar së fundmi linjave të transportit publik në qytet.

Veliaj udhëtoi përgjatë gjithë linjës, e cila u vjen në ndihmë banorëve që jetojnë në zonat e Kasharit, Yzberishtit, dhe zonat rreth Unazës së Re.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se krahasuar me vitet e mëparshme, transporti publik në kryeqytet ka pësuar një transformim të thellë, si për sa i përket pajisjes me autobusë të rinj, ashtu edhe përmes shtimit të linjave të reja.

“Pata mundësinë të udhëtoj për 1 orë e 10 minuta në linjën unazore të Kasharit, e cila i shërben një pjese të re të Tiranës, që më parë ishin pjesë e ish-komunës. Më parë çmimi i biletës ka qenë 50 lekë, kurse sot është 40 lekë; më parë as aboneja nuk njihej, kurse sot qytetarët mund të udhëtojnë me abone. Për ata që jetojnë në Kashar, Yzberisht, në zonën e Astirit apo rreth Unazës së Re kjo linjë është ideale, me autobusë të rinj dhe me cilësi shumë më të mirë. Duke qenë se e provova vetë e në mënyrë rastësore udhëtova në disa prej autobusëve të kësaj linje, mund të dëshmoj se shërbimi është si dita me natën, krahasuar me ku kemi qenë”, tha ai.

Veliaj deklaroi se përmirësimet në transportin publik do të vijojnë dhe njoftoi nisjen e zbatimit për herë të parë në Shqipëri të biletës elektronike, ndërsa garantoi për një shërbim dinjitoz për të gjithë ata që zgjedhin të udhëtojnë me autobusë.

Kryebashkiaku tha se gjatë gjithë këtij muaji do të ketë disa inspektime të rastësishme në të gjitha linjat e Tiranës, për t’u siguruar që në qytetin e Tiranës ofrohet i njëjti shërbim. “Kemi përmirësim, por kemi ende shumë punë për të bërë, ky është vetëm fillimi”, theksoi Veliaj.

Në Tiranë janë shtuar katër linja të reja autobusësh, si dhe janë zgjatur disa prej linjave ekzistuese. Procesi i riorganizimit të shërbimit të transportit qytetas është duke vijuar./a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd