Transmetuar më 31-01-2017, 13:12

Tiranë, 31 janar 2017, NOA.al- Kryeparlamentari Ilir Meta, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, deklaroi se partia që ai drejton u qëndron marrëveshjeve.

I pyetur lidhur me ecurinë e koalicionit me Partinë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, ai tha LSI është në koalicion dhe i qëndron atij koalicioni dhe se për të ardhmen i përket forumeve të partisë që të vendosin.

Ndër të tjera ai u përgjigj edhe pse LSI nuk del nga koalicioni.

“Nëse sot Rama konfirmon 71 mandate, LSI del në opozitë që tani. Nëse në 19 qershor, Rama apo Basha konfirmojnë 71 mandate, vendi del në opozitë. LSI do jetë në opozitë dhe do votojë çdo ligj që kërkon integrimi europian siç ka bërë gjithmonë. LSI asnjëherë nuk ka vënë kushte apo pengesa për proceset integruese, edhe kur ka qenë në opozitë, edhe në mazhorancë”, u shpeh Meta, në konferencën e sotme për media.

Ai tha se LSI ka në plan të parë stabilitetin e Shqipërisë, integrimin e vendit, forcimin e dimensionit europian, stabilitetin e rajonit dhe marrëdhëneiet me fqinjët.

Meta deklaroi se LSI nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do jetë asnjëherë shtojcë e një mazhorance që i ka 71 vota legjitime, por tha se nuk mund të marrë përgjegjësinë që për një debat të caktuar të çohet vendi në një vakum dhe as të cenohet ecuria e reformave të vendit.

I pyetur lidhur me vizitën e djeshme te Presidenti Bujar Nishani, kreu i Kuvendit tha se ishte takim normal dhe se takime të tilla ndodhin vazhdimisht, për të diskutuar për çështje të ndryshme.

Lidhur me qëndrimet kritike të ministrit të Mjedisit Lefter Koka, ndaj qeverisë dhe policisë, ai tha se nuk mendon se ministri nuk ka pasur arsye për të mos i ngritur shqetësimet.

“Por kërkesa e zgjidhjes në rrugë institucionale është e vetmja zgjidhje pozitive, e cila i shërben jo vetëm mbarëvajtjes së koalicionit por edhe vendit”, tha kreu i LSI.

Ndër të tjera i cilësoi si çështje alarmante reformën zgjedhore, për të cilën tha se duhet të ishte mbyllur me kohë, dhe se për këtë gjë nënvizoi se duhet të jepen zgjidhje sipas rekomandimeve të OSBE- ODHIR.

Ai vlerësoi si të një rëndësie të jashtëzakonshme vazhdimin e dekriminalizimit si një proces jetik për standardin e zgjedhjeve të ardhshme, dhe si detyrim të forcave politike për të garantuar integritetin e përfaqësuesve që do ju prezantojnë qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e qershorit.

Shkarkimi i Manjanit, Meta: Nuk u dorëzova te Rama, kush ka fakte të ndjekë rrugën e drejtësisë

Kryeparlamentari Ilir Meta thotë se shkarkimi i ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani, nuk shënoi dorëzimin e tij tek Kryeministri Edi Rama.

Ai kujtoi se Ilir Meta në 2008- 2009 dhe pse LSI ishte forcë shumë e re, kur Edi Rama dhe Sali Berisha u bashkuan siç tha ai, si asnjëherë tjetër për të bërë ndryshimet kushtetuese, të cilat në thelb synonin eliminimin e çdo partie tjetër në vend, ai nuk u dorëzua ndaj dy partive së bashku që ishin shumë të mëdhaja asokohe.

Por në këtë linjë shtoi se pas vitit 2009, LSI u bë faktor stabiliteti në vend.

“Dhe më pas edhe në një koalicion të vështirë, dhe jo të natyrshëm për ne. Nuk e di si do kishin vajtur gjërat në Shqipëri, nëse nuk do ishte bërë ajo zgjedhje e zgjuar dhe e mençur. Edhe statusi i kandidat do ishte marrë gjatë atyre viteve nëse nuk do ishte bllokuar tre ligjet. Ilir Meta nuk dorëzohet as nga zoti Rama, as nga zoti Berisha dhe as nga zoti Basha sigurisht që jo, dhe as brenda LSI”, u shpreh Meta.

Ai shmangu komentet për shkarkimin e Manjanit, duke thënë se për ndryshimin e ministrit ka folur  dy herë LSI, njëherë përmes Erisa Xhixhos dhe më pas me anë të Luan Ramës.

Meta shmangu përgjigjet ndaj interesit të gazetarëve, duke deklaruar se “Këtu jam për çështje më të rëndësishme se aq, për probleme më të rëndësishme para vendit. Edhe për hashashin, njerëzit janë të lodhur nga hashashi. Çdo ministër, deputet dhe ish- ministër apo qytetar që ka fakte për implikimin e çdo zyrtari me krimin dhe korrupsionin, duhet të ndjekë rrugën e drejtësisë”.

Sipas tij, kur përfaqësues të LSI nuk i kanë qëndruar marrëveshjes, forca që ai drejton ka reflektuar.

“Kanabis”, Meta: Të ndëshkohet kush nuk e meriton uniformën e policisë

Kreu i LSI Ilir Meta, është shprehur i vendosur kundër kanabisit në vend. Duke u shprehur se ky është një faktor shqetësues për vendin, Meta ka kërkuar angazhimin maksimal të policisë, shërbimeve sekrete dhe të gjithë institucioneve përgjegjëse, që të luftohet në themel ky fenomen. Më tej ai u shpreh se jo vetëm që nuk duhet të shikohen më policë duke korrur kanabis, por të mos lejohet fare mbjellja e tij.

“Jam dakord me Luan Ramën kur thotë se nuk  duam të shohim më policë duke korrur kanabis, por policia dhe të gjitha institucionet e tjera të përfshihen për të ndaluar prodhimin e kanabisit. Është shumë e rëndësishme që të jepet një mesazh i fortë parandalues. Kjo është fuqia e shtetit. Prokuroria ka një përgjegjësi të madhe sepse duhet të çojë përpara të gjitha proceset, jo thjesht për të dënuar punëtorët e kanabisit. Por ata që duhet që sjelli farat”, tha ai.

Në vijim ai shtoi se ka qenë gjithnjë përkrahës i Policisë së Shtetit, edhe kur është sulmuar mes bulevardit nga horra e banditët.

“Ata që nuk e emërtojnë uniformën e policisë së shtetit duhet të ndëshkohen, ashtu sikundër çdo zyrtar”, tha Meta

“Balili”, Meta tregon pse kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë

Ilir Meta ka konfirmuar se arrestimin e domosdoshëm të të ashtuquajturit “Eskobar i Ballkanit” ja kanë kërkuar në Washington gjatë vizitës së fundit.

Kryetari i LSI deklaroi për këtë çështje përball gazetarëve, se e kishte kërkuar mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, për shkak se partnerët amerikanë, gjatë vizitës së tij në SHBA i kishin kërkuar që të tërhiqte vëmendjen e institucioneve për arrestimin e Kelmend Balilit, të shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar droge.

Meta tha gjithashtu, se nuk sheh ndonjë institucion tjetër ku mund ta ngrinte këtë shqetësim.

“Në vizitën time të fundit në SHBA, në një takim në luftën kundër krimit të organizuar dhe drogës, pata një bisedë me zyrtarët atje, ku mora fjalë të mira për reformën në drejtësi, të vetmin shqetësim ka pasur, më ka kërkuar të tërheq vëmendjen e autoriteteve në vendin tonë për mos arrestimin e Balilit. Kjo është një çështje që nuk e ndihmon reputacionin tonë në bashkëpunim me ndërkombëtarët. pas 20 janarit kemi një partner të ri, presidentin Trump i cili ka disa prioritete të qarta, që kërkon nga vendet e NATO-s të rrisin kapacitetin e tyre. si dhe forcimin e kufijve jo vetëm të vendit të tij në luftën kundër krimit të drogës. kështu mendoj se kjo është rruga më e mirë që të nxjerrim mësime se si të bashkëpunojmë në të ardhmen”, tha Meta./a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd