Transmetuar më 30-01-2017, 15:19

Nënkryetar i LSI-së dhe kreu i grupit parlament Luan Rama në një prononcim të shkurtër për mediat nga selia e kuvendit u shpreh se situata brenda koalicionit me PS ishte problematike dhe u kishin mbetur vetëm dy zgjidhje; të shkarkohej kryeministri ose ministri.

Sipas Ramës, LSI pranoi vendimin e kryeministrit, pasi kjo forcë politike është e vendosur të bashkëpunojë në partneritet të plotë për të çuar përpara reformat e nisura nga qeveria.

“Në raportet e bashkëpunimit dhe të komunikimit midis Kryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë ka ekzistuar një situatë problematike, e cila për fat të keq është agravuar ditë pas dite derisa mbërritëm një zgjidhje që kishte vetëm dy rrugëkalime. Njëri ishte të shkarkonim Kryeministrin ose të shkarkohej ministri.

Pranuam zgjedhjen dhe zgjidhjen e Kryeministrit për të dëshmuar edhe një herë tjetër që Lëvizja Socialiste për Integrim është e vendosur të bashkëpunojë me shumë seriozitet dhe në partneritet të plotë për të krijuar klimë bashkëpunimi, bashkëqeverisje dhe mirëkuptimi për ecurinë e mëtejshme të reformave të integrimit evropian të vendit.

LSI-ja do të vazhdojë të kontribuojë me shumë seriozitet dhe me shumë përkushtim për të normalizuar edhe raporte të kësaj natyre dhe për të bërë funksionale gjithnjë e më mirë në të mirë të qytetarëve qeverisjen e vendit. Vendi ka nevojë për qeverisje rezultative, për qeverisje demokratike dhe për qeverisje që sjell produkt”, u shpreh Luan Rama./b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd