Transmetuar më 30-01-2017, 12:04

Tiranë, 30 janar 2017, NOA.al- Takimet e shpeshta të ditës së sotme mes Kryeministrit Edi Rama me kryeparlamentarin Ilir Meta dhe të këtij të fundit me ministrat që vijnë nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk kanë qenë pa gjë. Kryeministri Edi Rama shkarkon Ylli Manjanin nga posti i ministrit të Drejtësisë.

Kreu i qeverisë i ka dërguar mesditën e sotme Presidentit Bujar Nishani, propozimin që kreu i grupit parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili të zerë vendin e Manjanit. 

“Kryeministri Edi Rama ka firmosur sot lirimin nga detyra të Ministrit të Drejtësisë z.Ylli Manjani dhe emërimin në këtë detyrë të z. Petrit Vasili”, thuhet në qëndrimin e Kryeministrisë. 

Vetëm pak muaj më parë Manjani u emërua si ministër Drejtësie, duke zëvendësuar Nasip Naçon, i cili po ashtu vjen nga LSI.

Më herët ministri Manjani, hodhi poshtë zërat se ministri i Drejtësisë ka dhënë dorëheqjen ose se është shkarkuar.

Ylli Manjani konfirmoi se nuk ka dhënë dorëheqjen nga detyra dhe shtoi se nuk ka as edhe ndonjë njoftim zyrtar që ai të jetë shkarkuar, por kjo gjë u hodh poshtë me vendimin e Kryeministrit Edi Rama në mesditë.

“Miq e të njohur më informuan këtë mbrëmje të diele, që portalet kanë shkruar mbi dorëheqjen e më pas shkarkimin tim nga Qeveria. Këto lajme lidhen edhe me anulimin e një konference për shtyp timen. Dëshiroj t’ju informoj se: 1. Nuk kam dhënë dorëheqje nga detyra! S’më ka shkuar ndërmend një gjë e tillë! 2. Nuk kam asnjë njoftim zyrtar që të jem shkarkuar! 3. Konferencën për shtyp e kisha thirrur për të anuncuar paketën e ndryshimeve në legjislacionin Penal pas dakortësimeve që kam marrë nga kolegët e mi ministra dhe aktorë të tjerë të interesuar! E anulova këtë gjë për arsye thjesht shëndetësore! Natën e mirë!”, thoshte Manjani në qëndrimin e tij.

Ditët e fundit marrëdhëniet mes PS dhe LSI brenda mazhorancës janë acaruar së tepërmi duke vënë në pikëpyetje edhe jetëgjatësinë e koalicionit. Megjithatë ky ndryshim në qeveri duket se i qetëson disi ujërat, ndonëse nuk dihet nëse do ketë lëvizje të tjera në kabinetin qeveritar./a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd