Transmetuar më 30-01-2017, 11:58

Tiranë, 30 janar 2017, NOA.al- Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria është i vetmi vend në Europë dhe ndër të paktët në botë, që ende nuk ka asnjë të dhënë të saktë të besueshme se sa njerëz jetojnë brenda saj, sa jashtë saj dhe ku jetojnë njerëzit që banojnë në territorin e saj.

Kreu i qeverisë shprehet se sipas të dhënave të regjistrit kombëtar të gjendjes civile, popullsia shqiptare është 4.4 milionë banorë, ndonëse për këtë shifër flitet se është 3 milionë.

Në këtë drejtim ai tha se për ta lidhur këtë shifër me vendbanimin e secilit është një mision i pamundur.

Rama pyeti se si mund të funksionojë seriozisht dhe në shërbim për të barabartë për të gjithë qytetarët, një shtet që nuk ka një regjistër serioz adresash.

Sipas tij, Shqipëria sot është një vend ku flukset migratore të shqiptarëve nga vendi ynë jashtë kufijve janë pothuajse të barazvlefshme në peshë, duke thënë se aq sa shqiptarët kanë lëvizur nga Shqipëria drejt vendeve të tjera, kanë lëvizur nga vendbanimet e tyre të qëndrueshme, drejt qendrave.

“E gjithë kjo lëvizje, krejtësisht e kuptueshme dhe normale pas rënies së regjimit, ku çdo lëvizje ishte e planifikuar dhe detyruar nuk u materializua asnjëherë në një regjistër kombëtar adresash. Jemi padiskutim ndër të paktat vende në botë që shfrytëzonim njohuritë historike për t’u identifikuar dhe nuk kemi bërë asnjë bazë të dhënash të besueshme që ti referohet regjistrit. Thënë ndryshe, jemi i vetmi vend në Europë që i gjejmë shtëpitë me të pyetur”, u shpreh Rama, duke denoncuar problematikën e mungesës së adresave.

Kryeministri tha se kjo ka qenë e një detyrë që ditën e parë  të qeverisë nga domosdoshmëria për të bërë shtet, ndërsa sot sipas tij, është drejt finalizimit projekti gjashtëmujor i konsultuar gjerësisht me një numër të konsiderueshëm institucionesh.

Sipas regjistrit kombëtar të gjendjes civile në Shqipëri janë 1.3 milionë familje”, tha Rama dhe nënvizoi se nëse bëhet përputhja e numrit të ndërtesave me banorët e identifikuar i bie 20 persona në një apartament, çka tha ai praktikisht nuk është e mundur.

“Ndaj verifikimi nuk mund të jetë më në dorë të rastësisë apo e shpikjeve të reja që i kanë hapur rrugë një shfrenimi të madh fantazie, në mungesë të një procesi qeverisës së serioz për të bërë shtet në këtë vend”, deklaroi Rama.

Ai ftoi qytetarët që të kontribuojnë drejtpërdrejtë duke dhënë të dhënat e tyre dhe të mos dëgjojnë llafet e atyre që e kishin detyrë të bënin atë punë dhe që sipas tij e bënë Shqipërinë edhe më rrumpallë nga sa e gjetën kur morën qeverinë.

Në këtë linjë Kryeministri nënvizoi se në rrugën për të bërë shtet është domosdoshmëri pasja e një sistemi adresash, ku të përputhet vendbanimi me adresën.

Kreu i qeverisë shtoi se për gjashtë muaj ky shërbim do jetë falas, ndërsa më pas do jetë me pagesë dhe me gjobë.

Rama deklaroi se sistemi i adresave do bëjë që vendbanimi i çdo personi do gjendet nëpërmjet numrit unik personal i cili fitohet në lindje dhe humbet kur ndërron jetë.

Deklarata e tij u dha ditën e sotme gjatë një aktiviteti informues për procesin e “Populimit”, që ka të bëjë me regjistrimin e popullsisë derë më derë./a.y/noa.al 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd