
Tiranë, 30 janar 2017, NOA.al- Ministrja e Integrimit Europian, thotë se reforma në drejtësi, mbetet guri më i rëndësishëm i themelit jo vetëm për krijimin e shtetit të së drejtës, por edhe për një kthesë të madhe në procesin e integrimit të Shqipërisë.
Ministrja e cilësoi këtë reformë, çelësin e transformimit të shoqërisë sonë, nga një shoqëri që për dy dekada kishte humbur besimin tek sistemi, në një shoqëri që është e vetëdijshme se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.
“Ky transformim e bën më shpejt të mundur integrimin, sepse për tu integruar në familjen e madhe europiane, ndryshimin duhet ta nisim nga vetja”, tha Gjosha.
Ministrja u shpreh se partnerët ndërkombëtarë, i shohin rezultatet e kësaj reforme si testin më të mirë që Shqipëria ka përpara, për të dëshmuar standarde në forcimin e demokracisë në vend.
“Këto rezultate do ta bëjnë gjithashtu vendin tonë, një vend më të besueshëm për investitorët, çka tregon se efektet e reformës janë gjerësisht të prekshme nga qytetarët, për sa kohë çdo investim i huaj në vend do të thotë më shumë zhvillim dhe mundësi punësimi për ta”, tha Ministrja.
Ministrja shtoi se reforma në drejtësi i jep udhë gjithashtu zgjidhjes së një sërë problemesh me çështjet e pronës, të cilat kanë qenë kushte të vendosura nga Bashkimi Europian për të çuar përpara procesin e integrimit.
“Ne jemi të vetëdijshëm, që e gjithë paketa ligjore do të kërkojë kohën e saj të zbatohet, ndaj nevojitet vullneti më maksimal i të gjithë aktorëve, në mënyrë që të kapërcehen pengesat e panevojshme”, tha ministrja Gjosha.
Ministrja tha në fjalën e saj se sa më i shpejtë të jetë zbatimi, aq më shumë shkurtohet rruga për aspiratën tonë europiane.
“Si Ministre e Integrimit do doja të theksoja fort rëndësinë që ka integriteti personal i të gjithë personave që do të marrin në dorë frerët e sistemit të ri të drejtësisë”, tha Gjosha.
Deklaratat e ministres u dhanë teksa mori pjesë në konferencën “Reforma në sistemin e drejtësisë, sfidë dhe domosdoshmëri për integrimin e Shqipërisë në BE” e cila u zhvillua paraditen e sotme në ambientet e Fakultetit të Drejtësisë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





