
Tiranë, 30 janar 2017, NOA.al- Kryeministri Edi Rama ka shkuar në Kryesinë e Kuvendit për të zhvilluar një takim me aleatin bashkëqeverisës Ilir Meta.
Ky takim, vjen pas zërave që qarkulluan javën e lënë pas për një krisje në koalicionin mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku kryesisht nga LSI pati shigjetime ndaj policisë dhe për mosvijimin e koalicionit.
Më i prerë në këtë drejtim ishte ministri i Mjedisit Lefter Koka, i cili gjatë një interviste televizive doli kundër vijimit të koalicionit.
Nga selia rozë deputeti Vladimir Kosta, kërkoi që koalicioni PS- LSI të mos vazhdojë më, madje ironizoi duke thënë se do ishte më mirë të kishte koalicion me Partinë Demokratike.
Nuk dihet nëse ky takim vjen për të sheshuar zërat për prishje të raportit mes PS- LSI, pasi ai u mbajt me dyer të mbyllura dhe zgjati rreth 45 minuta. Ndërkohë më herët ditën e sotme në një prononcim për mediat, ministri i Financave Arben Ahmetaj, deklaroi se koalicioni do vijojë edhe pas zgjedhjeve të 18 qershorit, ndërsa kërkoi të respektohet etika politike në deklarata./a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





