Transmetuar më 29-01-2017, 23:43

Forca të shumta të RENEA-s dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë po vazhdojnë aksionin në Sarandë dhe në Delivinë për kapjen e të dyshuarit Kelment Balili, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.

RENEA dhe FNSH kanë kontrolluar 10 banesa në pronësi të familjes Balili si dhe 3 hotele të vendosur në Sarandë dhe Delvinë.

Ky operacion kërkimi është bërë pasi policia gjatë mbajtjes nën vëzhgim të familjarëve të biznesmenit, ka vënë re lëvizje të dyshimta të tyre.

Urdhri për kontrollin e banesave të familjes Balili është lëshuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Kanë qenë efektivë të RENEA-së dhe FNSH-së nga Tirana që janë çuar për të kryer kontrollet në Sarandë dhe Delvinë.

Për të shmangur ndonjë nxjerrje informacioni, Policia e Shtetit nuk e ka informuar policinë lokale për këtë aksion.

Dyshimi i policisë ka qenë se familjarët komunikonin me Balilin dhe se strehohej pranë njërës prej banesave të tij.

RENEA dhe FNSH kanë hyrë në të gjitha banesat dhe bizneset në momentin kur anëtarët e familjes Balili ishin në gjumë.

Aksioni ishte koordinuar nga fshati Stjarr në Delvinë ku jeton fisi i Kelment Balili deri në qytetin e Sarandës ku këta të fundit kanë disa biznese.

Nga kontrollet ende nuk është bërë i mundur arrestimi i 46-vjeçarit ndërsa policia ka shoqëruar 11 anëtarë të familjes së Kelment Balilit, kryesisht nipa të tij dhe kushërinj.

Për të shmangur ndonjë konflikt të mundshëm në Sarandë, të shoqëruarit janë transferuar në Policinë e Gjirokastrës.

Ata janë marrë në pyetje në lidhje me vendndodhjen e Kelment Balilit, por të gjithë janë shprehur se nuk kanë asnjë kontakt me të.

Policia më pas ka liruar anëtarët e familjes Balili. 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd