Transmetuar më 29-01-2017, 12:12

Tiranë, 29 janar 2017, NOA.al- Partia Demokratike, thotë se sherri për Kelment Balilin, është sherr për pazarin e prishur Rama-Meta.

Në një dalje të sotme për mediat nga selia blu, deputeti demokrat Arben Ristani, tha se pas presionit të hapur ndërkombëtar për arrestimin e Kelment Balilit dhe pasi u prishën për pazarin e ditës, PS dhe LSI kanë nisur sherrin dhe shfaqjen e radhës.

“Ndërkohë Kelment Balili, i kërkuar nga gjysma e policive të Europës, nga DEA amerikane, i konsideruar nga CNN si Eskobari i Ballkanit, është akoma i lirë, duke kapur peshk nga jahti i tij e duke bredhur nga dasma në dasëm. Partia Demokratike e denoncoi emërimin e Klement Balilit në zyrat e shtetit, që në maj të vitit 2014. Ne bëmë publike, prova, fakte, se si në vitin 2006, ky trafikant ishte kapur në një aksion të forcave speciale me helikopter, me 750 kilogramë drogë”, u shpreh Ristani.

Më tej ai shtoi se, Partia Demokratike kërkoi 36 herë në 2 vite e gjysmë largimin e Kelment Balilit nga administrata shtetërore ku e emëruan Rama dhe Meta dhe vënien e tij para drejtësisë.

Në këtë linjë tha se, Rama dhe Meta, e mbajtën, e mbrojtën deri në fund, e mbrojtën edhe kur u shpall në kërkim nga Interpoli në maj të vitit 2016.

Sipas Ristanit, sot, në vend që të lozin topa djegësi me Balilin, duhet ti përgjigjen një pyetje të thjeshtë: “A po strehohet Kelment Balili në Tepelenë, nën kujdesin e kryetarit të bashkisë së Tepelenës, Termet Peçi dhe një shefi të PS-së në Tepelenë, Dino Selemi, aktualisht edhe drejtor i transportit të Gjirokastrës?​​”/a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd