






Tiranë, 29 janar 2017, NOA.al- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta mori pjesë në takimin me strukturat e Njësisë 5 në Tiranë, që u zhvillua në kuadër të Konventës Zgjedhore të Tiranës.
Gjatë fjalës së tij, Meta vlerësoi procesin e rinovimit të gjithë strukturave drejtuese të kësaj njësie, që ka luajtur një rol të rëndësishëm që nga themelimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të cilës i mbetet një rol akoma më i rëndësishëm për të ardhmen.
Duke u ndalur te zhvillimet në rajon, kryetari i LSI përshëndeti qëndrimin pozitiv të Sekretarit të ri të Mbrojtjes së SHBA-ve për Kosovën, i cili konfirmoi se stabiliteti dhe siguria e Kosovës është një prioritet i rëndësishëm për administratën e re të SHBA-ve.
“Përshëndes një qëndrim mjaft pozitiv të Sekretarit të ri të Mbrojtjes së SHBA-ve, Mattis për Kosovën, që konfirmoi përkundër çdo lloj shqetësimi dhe paragjykimi më parë se stabiliteti dhe siguria e Kosovës është një prioritet shumë i rëndësishëm edhe për administratën e re të SHBA-ve dhe kjo është tepër pozitive duke patur në konsideratë tensionimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi kohët e fundit. Dhe njëkohësisht shumë e rëndësishme për stabilitetin e gjithë rajonit tonë në këto kohë ndryshimesh, por edhe pasigurish”, deklaroi Meta, në aktivitetin e ditës së djeshme.
Gjithashtu, ai tha se vizioni i LSI-së është zgjidhja institucionale dhe jo retorikat klonfliktuale politike, teksa premtoi angazhimin e kësaj force politike për forcimin e shtetit ligjor.
“Zgjidhja institucionale me përgjegjshmëri të plotë dhe jo retorikat konfliktuale politike, fajësuese dhe shfajësuese, do ta çojnë angazhimin tonë për forcimin e shtetit ligjor dhe sundimit të ligjit në vend në nivele të reja, shumë më të larta dhe të qëndrueshme. Ky është vizioni dhe kjo është përgjegjshmëria e Lëvizjes Socialiste për Integrim”, tha Meta.
Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari tha në fjalën e tij se kolegjialiteti në vendimmarrje është garanci për realizimin e reformave.
Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha në fjalën e saj përshëndetëse tha se i gjithë procesi zgjedhor është bërë në bazë të konkurrencës dhe të transparencës.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





