Transmetuar më 29-01-2017, 09:08

Shkodër, 29 janar 2017, NOA.al- Pas Tiranës, Vlorës, Fierit, Durrësit dhe Elbasanit, protezat ortopedike ofrohen tashmë falas, për të gjithë pacientët që kanë nevojë, edhe në spitalin rajonal të Shkodrës.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i shoqëruar edhe nga deputeti i Partisë Socialiste Namik Kopliku, ishte ditën e djeshme në spitalin rajonal të kryeqendrës së veriut, ku u takua me mjekët ortopedë të këtij spitali si dhe u njoh me ecurinë e procesit.

Beqaj u shpreh se ofrimi i proteza ortopedike është një shërbim, në radhë të parë, për pacientët që mund ta marrin atë pranë vendbanimit të tyre, tërësisht falas por është një ndihmë e madhe edhe për mjekët, të cilët mund të ushtrojnë në mënyrë të plotë profesionin e tyre.

“Fakti që në spital ka filluar të ketë një furnizim me këto materiale mjekësore të nevojshme, qoftë për traumat, por edhe probleme të tjera ortopedike, e zgjeron gamën e shërbimeve që ofrohen në spital. Besoj se e rëndësishme është edhe normalizimi i marrëdhënieve mjek-pacient”, u shpreh Beqaj.

Ministri bëri të ditur gjithashtu se tashmë proteza ortopedike falas, për të gjithë pacientët që kanë nevojë, ofrohen sot në disa spitale në vend.

“Vendosëm që edhe në 5-6 spitale ku ka ortopedë që mund ta ushtrojnë, kështu që, Shkodra i bashkohet sot Vlorës, Elbasanit, Fierit, Durrësit, Lezhës, Gjirokastrës, Sarandës, në mënyrë që shërbimin të mund ta marrin sa më pranë, aty ku jetojnë”, nënvizoi Ministri i Shëndetësisë.

Beqaj takoi edhe pacienten e parë nga Shkodra e cila ka përfituar protezë falas. Vetëm një ditë pas operacionit, i cili u realizua me sukses të plotë, pacientja ka nisur periudhën e rehabilitimit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd