
Tiranë, 29 janar 2017, NOA.al- Ndërsa prej disa ditësh vihet re një krisje në aleancën mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, një tjetër qëndrim skeptik vjen nga selia rozë.
Deputeti i PS në Përmet, Vladimir Kosta thotë se teksa dëgjon nga përfaqësuesit e LSI të hedhin vrer ndaj PS dhe qeverisë ku edhe ata janë pjesë, konstaton se akuzat e tyre janë dhe më të ndyra se sulmet që bën Sali Berisha.
“Nuk e kuptoj pse LSI rri ende në qeveri dhe koalicion kur paskan kaq shumë akuza ndaj PS dhe kur dyshokan për skenarë haluçinant nga ana e policisë. Personalisht mendoj se vazhdimi i koalicionit me LSI është i pamundur dhe duhet të ndahemi menjëherë”, shkruan Kosta në Facebook.
Ai shprehet se edhe deputetët e PD janë më dinjitoz si kundërshtarë politik sesa LSI.
"Ky mund të jetë një qëndrim më radikal, por më mirë të qeverisë PS-PD se sa me LSI në koalicion”, shprehet Kosta.
Ky reagim vjen pas ministrit të Mjedisit Lefter Koka dhe deputetëve të LSI Petrit Vasili dhe Vangjel Tavos, të cilët hodhën akuza ndaj policisë.
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka tha gjatë një emisioni televiziv tha se policia është e lidhur me krimin, ndërsa kanabisi është fenomen kombëtar.
Reagimi i deputetit Vladimir Kosta
Aleanca me LSI-në, është vetëm për Ps- në !
Kam pasur jo pak kritika për punën e ministrave të LSI apo dhe deputetët e saj. Madje për Tavon, që sillet si beu i ri arrogant i Gjirokastrës, mund të flisja gjatë edhe për çështje konkrete. E kam akuzuar dhe e akuzoj publikisht për abuzime dhe shpërdorime skandaloze me pushtetin politik që i është dhënë në Gjirokastër, si dhe për sjelljen e tij ordinere dhe fjalorin e ulët ndaj drejtuesve të PS dhe Kryeministrit. Tavo është njeriu i fundit që duhet të akuzonte dhe të hidhte baltë më qeverisjen dhe strukturat e shtetit. Nuk ka as moralin si zyrtar dhe as si politikan të lëshojë akuza kriminale.
Teksa po dëgjoj nga përfaqësuesit e LSI të hedhin vrer ndaj PS dhe qeverisë ku edhe ata janë pjesë, shoh që akuzat e tyre janë dhe më të ndyra se sulmet që na bën Saliu. Por këto ditë po shoh atë që shohin gjithë shqiptarët; LSI po sulmon PS-në dhe qeverinë më keq dhe në mënyrë më të poshtër se PD. Nuk e kuptoj pse LSI rri ende në qeveri dhe koalicion kur paskan kaq shumë akuza ndaj PS dhe kur dyshokan për skenarë haluçinant nga ana e policisë.
Personalisht mendoj se vazhdimi i koalicionit me LSI është i pamundur dhe duhet të ndahemi menjëherë. Nuk na bashkon asgjë me ta. PS është forcë kryesore në vend dhe fiton e vetme. Për kolegët e mi që kanë merak numrat, u them se PS mund të jetë në koalicion me çdo parti tjetër që nuk ka stil pune pazaret dhe shantazhet. E them këtë sepse dhe nga pikëpamja e raporteve njerëzore kjo aleancë me LSI ka marrë fund. Ne nuk mund të jemi në aleancë me deputetë që nuk kanë pikë respekti për kolegët e tyre të partisë aleate. Me deputetë që thonë se jemi aleatë dhe fyejnë e shajnë gjithë ditën jo vetëm kolegët e PS, por edhe Kryeministrin dhe qeverinë ku janë pjesë. Edhe deputetët e PD janë më dinjitoz si kundërshtarë politik sesa LSI. Ky mund të jetë një qëndrim më radikal, por më mirë të qeverisë PS-PD se sa me LSI në koalicion./a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





