















Tiranë, 26 janar 2017, NOA.al- Bashkia e Tiranës, nëpërmjet Drejtorisë së Rinisë, ka nisur organizimin e “Tirana Art Fest” që do të kontribuojë në promovimin e talenteve të reja. Audicionet e para kanë nisur në tre gjimnazet “Ismail Qemali”, “Partizani” dhe “Sami Frashëri”, ku i pranishëm ishte edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Në aktivitetin e zhvilluar në gjimnazin “Sami Frashëri”, Veliaj tha se ky konkurs nuk është thjesht një garë, por një mundësi për të gjithë.
“Është shumë e rëndësishme të kuptojmë që secili prej nesh ka një talent, ka një dhunti, e disa mund ta kenë talentin në shkencë, në çështjet e arsimit dhe në mësimdhënie. Unë realisht besoj që një njeri që mban 10 përgjegjësi mund të bëjë dhe gjënë e 11-të, një njeri që s’bën dot asnjë gjë, s’bën dot dy gjëra sigurisht”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë u tha të rinjve që të kenë besim te fuqia që ata kanë dhe të mos lejojnë të tjerët që t’u ndërpresin ëndrrat.
Ndërsa gjatë takimit me nxënësit e gjimnazit “Partizani”, Veliaj bëri të ditur se disa nga aktivitetet e “Tirana Art Fest” do të organizohen tek ambientet e Piramidës, e cila është rihapur për publikun për organizimin e aktiviteteve të ndryshme.
“Unë do të doja që nga tani e tutje të fillojmë të marrim mbrapsht hapësirat që janë okupuar, ose janë degraduar ndër vite”, tha ai.
Nga data 23 janar – 28 janar 2017 do të zhvillohen audicionet për shkollat publike të qytetit të Tiranës, ndërsa nga data 30 Janar deri në datë 7 shkurt do të zhvillohen audicionet për shkollat private.
Gjithashtu, trajnerët dhe stafi i Drejtorisë së Rinisë do të shkojë në shkollat e Njësive Administrative për të kryer audicione nga data 8 Shkurt deri në datë 17 Shkurt, kurse faza finale do të organizohet në javën e dytë të muajit maj, në sheshin “Nënë Tereza” ku do të ndahen edhe çmimet sipas çdo kategorive.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





