Transmetuar më 05-01-2017, 16:14

Periudha e gripit ka qenë e parakohshme këtë vit, pasi zakonisht piku regjistrohet në muajt janar, shkurt dhe mars. Në spitalin “Shefqet Ndroqi”, dy pacientë të sëmurë kronikë e kanë humbur betejën, pasi janë prekur edhe nga gripi.

Ministria e Shëndetësisë me anë të një deklarate ka konfirmuar se si pasojë e epidemisë së gripit që po kalon vendi ynë, vetëm dy raste janë të konfirmuara për persona që kanë ndërruar jetë, të cilët, përveç sëmundjeve të tjera, kanë rezultuar të prekur edhe nga virusi i gripit të stinës.

Të dhënat për këto dy raste janë si më poshtë: M. K., mashkull, 70 vjeç, banues në Tiranë, shtruar më datë 31 dhjetor 2016, në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi,” me SPOK (​Sëmundje Pulmonare Obstruktive Kronike) të riakutizuar, insufiçencë respiratore dhe status gripalis, ndërruar jetë më datë 2 janar 2017.

A. N., mashkull, 71 vjeç, banues në Tiranë, shtruar më datë 3 janar 2017, po në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, me sëmundje kardiovaskulare dhe insuficiencë respiratore, ndërruar jetë po atë ditë.

Instituti i Shëndetit publik raporton për një fluks në rritje të personave të prekur nga virusi i gripit AH3N2. Javën e fundit përfshirë dhe ditët e para të viti 2017 përllogariten rreth 19 mijë të prekur, por sërish e konsiderojnë një situatë normale gripi. 

Simptomat e gripit

Simptomat e virusit të tipit A i cili paraqitet me temperaturë të lartë, dhembje koke e trupi mund të zgjasin nga tre deri në pesë ditë. Bluzat e bardha nuk e shohin të domosdoshme paraqitjen e menjëhershme në spital, por rekomandojnë shmangien e antibiotikëve.

Komplikacionet e këtij gripi, siç theksojnë mejkët pneumologë, mund të shkaktojnë pasoja fatale për jetën, ku më të rrezikuarit mbeten ata që vuajnë nga sëmundjet pneumoni kronike, diabeti dhe sëmundjet kardiovaskulare.

Si ta parandalojmë

Për të parandaluar prekjen nga virusi bluzat e bardha apelojnë për vaksinim, distancim social, higjenë të lartë personale dhe konsum lëngjesh si dhe duhen shmangur antibiotikët pa recetë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd