Transmetuar më 16-12-2016, 09:59

Vlorë, 16 dhjetor 2016, NOA.al- Dy persona janë arrestuar nga policia e Vlorës lidhur me plagosjen e tre personave, pas bllokimit të gomës së një makine.

Nën akuzën e veprës penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”, gjatë ditës së djeshme u bë arrestimi i Hënes Dalipaj, 30 vjeç ish-pjesëmarrës në realit show “Big Brother Albania 4” dhe i Eduard Alikaj, 44 vjeç, banues në Vlorë.

Policia ka bërë arrestimin e tyre, pasi në lagjen “29 Nëntori” pas një konflikti midis palëve për shkak të parkimit të automjetit, situata është agravuar deri në përdorimin e thikës, ku kanë mbetur të plagosur tre shtetasit F.V., Ç.V. dhe F.V., jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, nga ky konflikt ka mbetur i dëmtuar fizikisht edhe një nga personat e arrestuar, Eduard Alikaj, i cili ndodhet në spitalin e Vlorës.

Tre të plagosurit janë tre punonjës të shoqërisë private të parkimit të mjeteve “Tis-Park”.

Paraprakisht dyshohet se gjithçka ka nisur për shkak të bllokimit të gomës së mjetit të të dyshuarit, Eduard Alikaj.

Aktualisht policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./a.y/noa.al