Transmetuar më 06-12-2016, 14:44

Përcjellja për në banesën e fundit e dy djemve të vegjël dhe prindit të tyre, u shoqërua sot me mungesën e të ëmës 24-vjeçare, Marsela Toshi. Ajo nuk u lejua të merrte pjesë në ceremoninë mortore të dy djemve të saj të mitur, të vrarë një ditë më parë nga Naum Toshi i cili pasi i mbyti me tel duke i varur, i dha fund edhe jetës së tij, me të njëjtën mënyrë.

Me kërkesë të familjarëve të viktimës, policia mbajti të izoluar Marselën, për të shmangur një konflikt të mundshëm mes palëve, teksa u jepej lamtumira e fundit dy vogëlushëve 4 dhe 7 vjeç, si dhe 41-vjeçarit Naum Toshi.

Ndaj Marselës policia ka nisur procedim për veprën penale "Braktisje e dy fëmijëve të mitur". Ajo u shoqërua në komisarit pas kthimit nga Greqia në Pikën kufitare në Kakavijë. 

Gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor, Marsela pranoi se natën e ngjarjes makabre kishte qenë në banesë dhe kishte debatuar me bashkëshortin, në tentativë për ti marrë fëmijët, por më pas ishte larguar.

“Të dielën shkova në banesë debatuam me fjalë, u zumë dhe unë ika përsëri. Nuk më ka dhunuar”, – tha ajo.

Gruaja 24-vjeçare ka rrëfyer se ishte larguar në Greqi duke e braktisur familjen, për të gjetur punë dhe nga presioni që ushtronte bashkëshorti i saj.

"Ika në Greqi që të punoja. Do të shkoja në fillim të gjeja shtëpi, punë dhe më pas do ti merrja. Ai më thoshte na gjej për të ngrënë, bëju ç’të duash, ke fëmijë për të ushqyer, hapu po deshe, vetëm na sill të hamë", rrëfen Marsela.

Konflikti mes çiftit me një diferencë moshe prej 17 vitesh çoi edhe në këtë ngjarje të rëndë. Siç do të mësohej edhe nga letra e lënë nga 41-vjeçari, para krimit të rëndë ai do të ndërmerrte këtë akt pasi Marsela e braktisi atë dhe fëmijët. 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd