Transmetuar më 05-12-2016, 10:01

Nga Edison Kurani

Dy vogëlushë 4 e 6 vjeç, u gjetën sot të vdekur në një shtëpi në qytetin e Korçës. Pranë tyre, i ati 41-vjeçar që kishte varur ata dhe veten. Një krim i tmerrshëm që ngarkon me faj jo vetëm babanë monstër, por edhe shtetin antisocial që ekziston në Shqipëri.

Më herët, në Fier, një burrë zhveshi e dhunoi gruan në banjë dhe më pas e hodhi nga dritarja duke e vrarë. Tjetër krim monstruoz që bashkëfajtor gjen sërish shtetin që na sheh me “dylbi” prej shumë vitesh.

Të dhënat zyrtare nga Policia tregojnë se dy djemtë në Korçë ishin braktisur nga e ëma, që pak vite pasi i kishte sjellë në jetë. Ajo ikte me muaj të tërë, ndoshta në Greqi dhe dikur rikthehej. Për të ikur sërish e sërish. Në këto kushte, të vegjlit jetonin vetëm me të atin. Kuptohet që kujdesi prindëror në të tilla raste reduktohet shumë. Aq sa shpesh bëhet i pamundur kur prindi i vetëm është babai, për vetë moshën shumë të vogël të fëmijëve dhe mungesës së nënës.

E megjithatë, asnjë organ shtetëror nuk u kujdes për këtë familje. Autoritetet, përfshirë kopshti, shkolla, pushteti lokal dhe zyrat që përfaqësojnë pushtetin vendor në Korçë, zor se kishin të dhëna se çfarë po ndodhte në familjen e lagjes 4. Edhe pse vogëlushët më së shumti po jetonin pa nënën.

Asnjë këshillim, përkujdesje verbale, interesim të këtyre organeve për ecurinë e këtyre fëmijëve. Duke bërë kështu që kjo familje, ashtu si plot të tjera në vend, të ndjejnë thellësisht, deri në palcë, mungesën e kujdesit të shtetit.

E ndërsa ndjehemi vetëm, pa aromën e shtetit social në shumë nga shtëpitë tona, qeveritë dhe vendi janë duke aspiruar hyrjen në Bashkimin Evropian. Ku mbi të gjitha, standardet e përkujdesjes sociale të shtetit, janë shumë të larta. Për fat të keq ato janë shumë larg standardeve që ka vënë politika e majtë dhe e djathtë në këto 25 vjet, duke mos e çarë kokën për të qenë më afër familjeve dhe, nga ana tjetër, standardeve që vetë shoqëria shqiptare ka vënë në këto 25 vjet, duke mos i kërkuar llogari qeverive të veta për këtë mjerim shtetëror që ekziston në vend të përkujdesjes së shtetit.

Ngjarjet e fundit në Korçë dhe në Fier, janë megjithatë, një kambanë e fuqishme jo vetëm për shtetin – si bashkëfajtori i dytë kryesor në këto tragjedi që sa vijnë e bëhen më monstruoze në Shqipëri. Ne të gjithë, qytetarët dhe banorët e zonave rurale, lipset të rrisim ngutshmërisht kulturën sociale, duke mësuar të përballojmë dhe menaxhojmë në mënyrë të kujdesshme situatat e ndryshme me të cilat përballemi në jetë.

rastin e Fierit, ishte shumë më e thjeshtë që bashkëshorti t’i jepte fund martesës duke nisur një jetë të re, jo në qelitë e burgjeve, por jashtë tyre, në liri, pa plagë të tmerrshme të lëna pas.

Kurse në atë të Korçës, e keqja më e vogël ndaj këtyre fëmijëve, do të ishte po të braktiseshin dhe nga i ati. Sepse kështu, të paktën ata do të ishin gjallë dhe jo si shumë të tjerë që kanë ikur dhimbshëm në këto dy dekada e gjysmë.

Për fat të keq, duket se edhe shumë të tjerë do të ikin. Vetëm nëse ne dhe shteti, ndryshojmë kurs!

Çfarë ndodhi sot në Korçë

Tmerr në juglindje të Shqipërisë: Babai var dy djemtë e vegjël dhe më pas veten  Një ngjarje në kufijtë e makabritetit ajo që ka ndodhur mëngjesin e së hënës në juglindje të Shqipërisë. Një burrë 41-vjeçar ka varur dy djemtë e tij 4 dhe 6 vjeç e më pas veten.

Tre viktimat u zbuluan nga babai i autorit të dyshuar, sot në mëngjes në qytetin e Korçës,.

Naum Toshi, ka varur dy fëmijët e tij të mitur 4 dhe 6 vjeç (djemtë e tij) dhe më pas veten, brenda banesës ku ata jetonin.

Ngjarja ndodhi rreth dy muaj pasi gruaja e Naum Toshit dhe nënë e dy djemve të vrarë nga i ati, i kishte braktisur duke u larguar nga shtëpia për të disatën herë që ajo ikte me muaj të tërë. Një ditë para krimit të tmerrshëm, nëna e të vegjëlve ishte riparë në shtëpi dhe ishte larguar sërish.

Toshi kishte shkruar një letër dhe pak para krimit e kishte ngjitur në derën e shtëpisë dykatëshe ku jetonte me të vegjlit e tij.

“Ngjituni lart” shkruhej në letrën që e gjeti babai i tij dhe gjyshi i dy vogëlushëve.

Ai hyri në shtëpi dhe në njërën nga dhomat e katit të dytë të banesës gjeti të varur djalin dhe dy nipërit.

Krimi në familje tronditi dhe Fierin

Ngjarja e rëndë e Korçës, pason atë të Fierit që ndodhi në fundjavë, ku një burrë 50-vjeçar masakroi të shoqen. Dy javë pasi ishin kthyer nga Gjermania, ata nuk iu ndanë sherreve verbale derisa pak para se të niste kjo javë, erdhi sherri fatal. Burri, e zhveshi të shoqen dhe e mbylli në banjën e apartamentit dhe e rrahu. Më pas e hodhi nga dritarja e banjës. Gruaja vdiq rrugës për në spital. I shoqi u arrestua dhe pranoi krimin.

***

Ngjarjet e rënda që po ndodhin shpesh në Shqipëri, duke shkaktuar plagë të rënda familjare, janë pasojë e drejtpërdrejtë e disa shkaqeve. Ku kryesoret janë mungesa e shtetit social dhe përkujdesjes shtetërore ndaj familjeve, luhatjet psikike dhe gjaknxehtësia e papërmbajtur, si dhe kultura e dobët e menaxhimit të situatave familjare që mund të zgjidhen pa dhunë, për më tepër ekstreme.

Në rastin e burrit në Korçë, asnjë kujdes nga shteti nuk pati, madje dyshohet shumë se autoritetet ishin të informuara se dy djem 4 dhe 6 vjeç jetonin vetëm me të atin të braktisur nga nëna. Por shteti duhet të përkujdeset për familje me situata të tilla. Megjithatë si në të gjitha rastet e tjera të dramave dhe tragjedive familjare, shteti është gjithnjë jashtë.

Braktisja shtetërore, por edhe varfëria ekonomike dhe sociale, sollën kështu tragjedinë e trefishtë të Korçës. Një tragjedi që nuk është e vetmja dhe fatkeqësisht nuk duket të jetë e fundit. 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd