



Korçë, 5 nëntor 2016, NOA.al- Gjendja e rënduar psikologjike pasi e shoqja e kishte lënë, dyshohet të jetë motivi i krimit tronditës të ndodhur në Korçë.
41- vjeçari Naim Toshi kishte takuar të shoqen ditën e djeshme për të fundit herë kur ajo kishte shkuar në banesë, pak kohë pasi ajo ishte larguar nga shtëpia, ku dyshohet se e kishte lënë për një tjetër.
Toshi, i cili jetonte me dy të vegjlit njëri 6 vjeç i ardhur në jetë nga një lidhje e mëparshme e gruas së tij, dhe 4- vjeçari i lindur nga martesa e tyre, duket se nuk e ka përballuar dot vendimin e së shoqes.
Në këto kushte në gjendje të rënduar psikologjike, ai u ka marrë jetën dy vogëlushëve dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe me veten, duke u varur.
Krimi i rëndë mendohet të ketë ndodhur gjatë natës mes të dielës dhe të hënës, ku tre viktimat u gjetën në katin e dytë të shtëpisë ku jetonin.
“Ngjituni lart” kishte shkruar 41- vjeçari në një letër të ngjitur në derën e shtëpisë, të cilën e kishte gjetur i ati i tij, i cili është përballur mëngjesin e sotëm me skenën drithëruese.
Viktima prej më se një muaji jetonte i vetëm me dy fëmijët, pasi e shoqja ishte larguar.
Nga të dhënat paraprake mësohet se gruaja kishte shkuar ditën e djeshme në shtëpi dhe më tej ishte larguar, duke e lënë sërish të shoqin dhe djalin e tyre.
Gjithë këto të dhëna shtojnë dyshimet që krimi tronditës të jetë kryer në gjendje të rënduar psikologjike nga Naim Toshi, i cili nuk kishte shumë kohë që ishte kthyer nga Greqia.
Ngjarja që shokoi mbarë vendin ka ndodhur në lagjen nr.4 Korçë. Fqinjët dhe të afërmit e Naim Toshit thonë se ai nuk ishte njeri problematik dhe gjithçka mendohet se ka ndodhur pas largimit të së shoqes dhe tronditjes së pësuar./a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





