
Korçë, 5 dhjetor 2016, NOA.al- Zbulohen detaje të reja nga krimi që tronditi mbarë vendin mëngjesin e sotëm, ku një baba u mori jetën dy djemve të tij të mitur dhe më tej i dha fund edhe jetës.
41- vjeçari Naim Toshi kishte shkruar një letër dhe e kishte ngjitur në derën e shtëpisë dy katëshe ku jetonte me të vegjlit e tij, pak para krimit.
“Ngjituni lart” shkruhej në letrën që e gjeti babai i tij dhe gjyshi i dy vogëlushëve.
Ai hyri në shtëpi dhe në njërën nga dhomat e katit të dytë të banesës gjeti të varur djalin dhe dy nipërit të cilët janë 4 dhe 6 vjeç.
Motra e viktimës Lindita Golka, duke folur për mediat tregoi se i ati kishte shkuar në banesën e të birit për të ushqyer pulat mëngjesin e sotëm, ku letra i ka tërhequr vëmendjen dhe ka hyrë brenda, për t’u përballur me skenën drithëruese.
Gjithashtu bëhet e ditur se viktima prej afro dy muajsh jetonte i vetëm me dy fëmijët e tij, pasi e shoqja prej dy muajsh ishte larguar.
Nga të dhënat paraprake mësohet se gruaja kishte shkuar ditën e djeshme në shtëpi dhe më tej ishte larguar.
Gjithë këto të dhëna shtojnë dyshimet që krimi tronditës të jetë kryer në gjendje të rënduar psikologjike nga Naim Toshi, i cili nuk kishte shumë kohë që ishte kthyer nga emigracioni.
Ngjarja mendohet të ketë ndodhur gjatë natës mes të dielës dhe të hënës në lagjen nr.4 Korçë./a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





