Transmetuar më 16-11-2016, 15:42

Fushë Krujë, 16 nëntor 2016, NOA.al – Tre persona janë vënë në pranga pas shpërthimit të eksplozivit mbrëmjen e djeshme në Fushë Krujë, ndërsa policia thotë se ngjarja ka ndodhur pas një sherri familjar që ka pasur njëri prej autorëve me pronarin e rrobaqepësisë ku është hedhur tritoli. Mësohet se në pranagha janë vënë Skënder Vathi 49 vjeç, Erjon Tema  19 vjeç, dhe Erges Duka 23 vjeç, të tre banues në Fushë-Krujë.

Këta persona ditën e djeshme rreth orës, 17:45 në lagjen “Punëtori” në Fushë-Krujë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta kanë vendosur një sasi lënde plasëse eksplozive në mjetin tip Volsvagen Passat me targa AA 545 LS në pronësi të 48-vjeçarit me inicialet S.T., banues në Fushë-Krujë, të cilin e kishte të parkuar pranë biznesit të tij, rrobaqepësi.

Si pasojë e shpërthimit është dëmtuar xhami i përparmë i makinës, xhamat e rrobaqepësisë, si dhe janë dëmtuar 5 automjete të tjera të parkuara aty pranë. Efektivat e Policisë sapo kanë marrë dijeni për ngjarjen kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, të cilët kanë këqyrur vendin e ngjarjes, mbledhur provat materiale dhe pyetur dëshmitarë me qëllim zbulimin dhe zbardhjen e plotë të saj.

Personat e mësipërm janë persona me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër jetës dhe pronës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Krujës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”./b.l/noa.al/ 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd