Transmetuar më 03-11-2016, 15:46

Një javë pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet ndaj ish-kryegjyqtarit të Gjirokastrës, Guximtar Boçit, sot është marrë në pyetje anëtarja e trupës gjyqësore të Gjykatës së Gjirokastrës, Blerta Çibuku.

Kjo e fundit ka pasur në shqyrtim gjyqësor një dosje konflikti pronësie të denoncueses së ish-kryegjyqtarit Boçi. Edhe vetë gjyqtarja Çibuku është regjistruar në një bisedë me të dëmtuarën, vetëm pak ditë pasi ishte shprehur me vendim në favor të familjes së ish-bashkëshortit të denoncueses.

Gjyqtarja është pyetur në cilësinë e deklarueses nëse kishte pasur ndërhyrje nga kryetari i Gjykatës Gjirokastër Guximtar Boçi për ta favorizuar shtetasen 38-vjeçare Rudina I, e cila regjistroi kreun e Gjykatës duke i kërkuar favore seksuale.

Në dëshminë e saj gjyqtarja ka thënë se ka vendosur në favor të familjes së ish burrit të Rudina I, pasi ajo ka qenë bindja e saj bazuar në provat e administruara në dosje. Ndërkohë shtetasja që denoncoi skandalin Rudina I, ka regjistruar edhe këtë gjyqtare në audio ku thotë se vendosi në favor të familjes së ish burrit të 38-vjecares në konfliktin e pronësisë që ata kishin pas ankesave që pala kundërshtare kishte bërë në KLD, shkruan Panorama. KLD ka vendosur të kontrollojë me inspektim dosjet e shqyrtuara nga gjyqtarja Blerta Çibuku pas publikimit të skandalit të ndodhur në Gjirokastër.

Regjistrimet e bëra nga shtetasja Rudina I, ndaj kreut të gjykatës dhe gjyqtares që kishte në shqyrtim konfliktin e pronësisë për shtëpinë 3-katëshe janë 53 minuta dhe sipas prokurorisë janë regjistruar në vitin 2015. Kryegjyqtari i Gjirokastrës po hetohet për korrupsion dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm pasi Rudina I pretendon se Guximtar Boçi ndërhyri kundër saj pasi ajo nuk pranoi ofertën për të kryer marrëdhënie seksuale. Guximtar Boçi është pezulluar nga detyra dhe është nën hetim pas publikimit të bisedave të përgjuara nga shtetasja Rudina I nënë e dy fëmijëve tashmë e divorcuar.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd