Transmetuar më 28-10-2016, 05:50

Afera e dyshuar e gjyqtarit Guximtar Boçi në Gjirokastër, ishte përgatitur prej muajsh dhe u publikua mbrëmë në TV Klan, ndërsa në qytetin jugor zhvillohej ceremonia martesore e vajzës së tij më të madhe. Vajza e gjyqtarit, punon si shefe finance në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës.

Afera ishte mësuar prej kohësh nga një numër qytetarësh, por edhe nga zyrtarë të policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit.

Hapja e dasmës në shtëpinë e gjyqtarit u bë rreth orës 16:00 për të vazhduar disa orë. Aty ishin ftuar edhe gjyqtarë dhe prokurorë, kolegë të Guximtar Boçit. Gazeta “Panorama” raporton se ata e shmangën vizitën në shtëpinë e kryegjyqtarit, duke qenë në dijeni të skandalit që pritej të publikohej në media.

Boçi është rreth 55 vjeç, baba i dy vajzave, më e madhja prej të cilave këto ditë celebron martesën e saj. Gruaja që denoncoi në media skandalin seksual ishte nënë e dy fëmijëve. Ajo ishte në një konflikt me ish bashkëshortin e saj për shtëpinë ku kishin jetuar bashkë.

Në një reagim të shkurtër për “Panoramën”, Boçi ka mohuar ta ketë kontaktuar ndonjëherë gruan që ka kryer denoncimin pranë emisionit investigativ dhe se e hedh poshtë me neveri një bisedë të tillë.

Ai deklaroi se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore. Boçi, i moshës 55-vjeçare, është babai i dy vajzave të rritura, ku më e madhja po celebronte martesën.

Guximtar Boçi është gjyqtar prej rreth 20 vitesh, ndërsa prej tri vitesh u emërua kreu i Gjykatës së Shkallës së Parë në qytetin e Gjirokastrës.

Gjatë kryerjes së detyrës ai është vlerësuar disa herë për punën. Vetëm tri vitet e fundit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë mësohet se e ka vlerësuar tre herë Boçin nga ana profesionale. Kështu, më 11 tetor 2013 KLD ka miratuar një raport të vlerësimit profesional e etik të tij. Më pak se një vit më vonë, më 21 korrik 2014, u bë sërish një vlerësim dhe më i fundit ishte ai i 27 majit 2016.

Në këtë datë, KLD ka miratuar një vlerësim të Inspektoratit për Boçin në cilësinë e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.

Megjithatë, pak kohë pas publikimit të skandalit, ministri Manjani deklaroi se do t’i kërkojë KLD-së shkarkimin si gjyqtar të Guximtar Boçit. Pas ngjarjes, nuk ka pasur asnjë reagim nga kolegët e tij në Gjirokastrës, veç asaj që u bë nga Tirana, nga Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë.

Kryetari i gjykatës së Gjirokastrës përfshihet në një aferë të dyshuar seksuale

Kryetari i gjykatës së Gjirokastrës në jug të Shqipërisë, Guximtar Boçi, është përfshirë nga akuzat për aferë seksuale me një qytetare që ishte në proces gjyqësor.

Në media u publikuan regjistrime audio-video ku sugjerohen momente diskutimi intim mes Boçit dhe qytetares. Regjistrimi sugjeron se gjyqtari po i kërkonte favore seksuale qytetares në këmbim të dhënies së një vendimi pozitiv për çështjen e saj gjyqësore.

Në disa momente, regjistrimi sugjeron tentativa nga gjyqtari për ta puthur qytetaren. Ajo refuzon, humb çështjen dhe në këtë moment dyshon, se dështimi i saj, ka të bëjë me refuzimin që i bëri kryetarit të gjykatës Guximtar Boçi.

Ajo thotë se e humbi çështjen pikërisht se refuzoi të bëjë seks me kryetarin e Gjykatës së Gjirokastrës.

Duket se në sistemin e drejtësisë në Shqipëri nuk ka vetëm seks, por edhe shumë korrupsion e kërcënime. Në pjesën e fundit të regjistrimit audio, kreu i Gjykatës së Gjirokastrës, Guximtar Boçi, i tregon qytetares, sesi të veprojë në Apel, sa parà të japë, se ndryshe nuk e fiton dot çështjen. Kjo pjesë e publikimit mbyllet me kërcënimin me jetë që Guximtar Boçi i bën qytetares, kur kjo e fundit i thotë se e ka regjistruar.

Sakaq, vetë i dyshuari mohon të jetë i përfshirë në një aferë seksuale.

Boçi mohoi ta ketë kontaktuar ndonjëherë gruan që ka kryer denoncimin. Ai tha se e hedh poshtë me neveri një bisedë të tillë. Boçi thekson se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore.

Guximtar Boçi, 55 vjeç, është baba i dy vajzave të rritura. Mbrëmë kur në TV dhe media të tjera transmetohej regjistrimi audio, vajza e tij e madhe, po celebronte martesën.

Në ceremoninë martesore ishin ftuar kolegë të gjyqtarit dhe të bijës, me detyrë shefe finance në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës. Po ashtu ishin ftuar prokurorë e drejtues policie. Por mësohet se më së shumti ata nuk kanë shkuar pasi kishin dijeni për skandalin e dyshuar.

Guximtar Boçi është gjyqtar prej rreth 20 vitesh. Prej tri vitesh u emërua kreu i Gjykatës së Shkallës së Parë në qytetin e Gjirokastrës. Këshilli i Lartë i Drejtësisë e ka vlerësuar 3 herë për punë profesionale dhe etike, më së fundi në maj 2016.

Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani duke folur sot mbi atë që po cilësohet skandali seksual, paralajmëroi shkarkimin nga detyra të kreut të Gjykatës së Gjirokastrës.

“Ngjarja ku është përfshirë gjyqtari Guximtar Boçi është e turpshme dhe e papranueshme për një gjyqtar. Ky person, kryetar gjykate nuk mund të jetë më. Nuk mund të jetë as gjyqtar. Do kërkoj të pezullohet derisa të plotësohen procedurat për shkarkimin e tij”, – tha ministri i Drejtësisë.

Për incidentin reagon dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. “Ditë të zeza për drejtësinë, ndër shumë të tilla, vetëm këtë javë. Njëri në Dibër, tjetri në Fier, i fundit në Gjirokastër. Reforma në Drejtësi do të na çlirojë nga te gjithë palaçot në sistemin e drejtësisë, që sot vënë ende gjoba në xhepin dhe mishin e qytetarëve”.

Ndërsa Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë tha se distancohet nga “këto veprime të turpshme” dhe shtoi se “nxit organet kompetente, Prokurori dhe KLD të veprojnë, për të zbardhur sa më shpejt ngjarjen dhe për të marrë masat përkatëse”.

“Garantojmë publikun se shumica dërrmuese e gjyqtarëve nuk kanë asnjë lidhje me këto fenomene shumë të rrezikshme, të cilat janë në kundërshtim flagrant me normat e etikës së gjyqtarit dhe të moralit shoqëror”, – u shpreh Unioni i Gjyqtarëve.

Skandali i dyshuar seksual, flet gjyqtari Boçi: Do e ndjek çështjen ligjërisht

Kryetari i Gjykatës Gjirokastër akuzohet se i kërkon seks një gruaje në këmbim të vendimit

“Skandali i dyshuar seksual”, Manjani: Shkarkim dhe hetim penal. Tahiri: Reforma çliron sistemin nga korrupsioni

Jo vetëm seks e korrupsion! Gjyqtari akuzohet se kërcënon me jetë qytetaren  

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd