
Tiranë, 25 tetor Deputetja e PD, Albana Vokshi ka deklaruar këtë të martë se, kryeministri Edi Rama ka pranuar dështimin e procesit të kontrollit shëndetësor dhe po ashtu se i ka dhënë partneres së tij në biznes 5 milionë euro më shumë se sa nevojiteshin për të kryer analizat në një vit.
“Ministria e Shëndetësisë deklaroi se me të njëjtin fond që i kanë dhënë Vilma Nushit do të bëhen analizat edhe për 350 mijë qytetarë më shumë, duke rritur fashën e grupmoshës, duke e shtrirë nga 35 deri në 70 vjeç”, ka deklaruar Vokshi.
Sipas saj, “pa e kuptuar Rama ka pranuar që kontrata e firmosur me konçesionarin është abuzive, pasi ka të përcaktuar një dysheme prej 475 mijë qytetarësh, për të cilët Vilma Nushi paguhet pavarësisht nëse ata i bëjnë apo jo analizat”.
Lidhur me këtë i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë e cila deklaron se në vend që PD t’ju bëj thirrje qytetarëve për të kryer check-up falas, për të parandaluar dhe shëruar sëmundje, prej një viti e gjysmë është armikja më madhe e check-up falas.
“Është e pakuptueshme pse PD u bën çdo ditë thirrje qytetarëve për të mos kontrolluar falas shëndetin e tyre. Falas, pa paguar asgjë, qytetarëve u ofrohet mundësia të parandalojnë sëmundje e të jetojnë më gjatë e më shëndetshëm. Dje PD akuzonte qeverinë se po shpenzonte më shumë. Sot, që kuptoi se nuk do të shpenzohet asnjë qindarkë ekstra, por përkundrazi, për të njëjtin buxhet do të përfitojnë më shumë qytetarë, më shumë kontrolle falas, opozita i është rikthyer avazit të vjetër të propagandës anti checkup”, thuhet në reagimin e MSH.
Më tej Ministria e Shëndetësisë i bën thirrje çdo qytetari të moshës 35-70 vjeç, t’i drejtohen qendrave shëndetësore për të përfituar kontrollin shëndetësor falas, për të parandaluar sëmundje e për tu kuruar në kohë.
“Përtej fjalëve dhe baltës që hidhet çdo ditë, shërbimi i check-up është FALAS për çdo qytetar në moshën 35-70 vjeç. Është një shërbim që funksionon, që parandalon sëmundje dhe ju ndihmon të jetoni me shëndetshëm”, përfundon reagimi./b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





