Transmetuar më 25-09-2016, 10:54

Kryeministri i vendit Edi Rama ka reaguar me anë të një statusi në Facebook lidhur me vdekjen e kryebashkiakut të Kolonjës, Arben Malo.

Rama duke e cilësuar si një mik të mirë dhe të respektuar të familjes së madhe politike i shpreh ngushëllimet e tij familjarëve, miqve dhe qytetarëve të Kolonjës.

“Arben Malo një mik i mirë dhe pjesëtar i respektuar i familjes sonë të madhe politike, kryebashkiak i Bashkisë së re të Kolonjës propozuar nga LSI, u nda papritur nga jeta. Me respekt për punën e tij të mirë në drejtimin e bashkisë dhe me dhembshuri për humbjen e tij, ngushëllime familjarëve, miqve, qytetarëve të Kolonjës”, shkruan Rama.

Arben Malo u nda nga jeta në moshën 46 vjeçare pas një sulmi në zemër. Arben Malo lindi më 26.09.1969, në Kolonjë. Në vitin 1993 është diplomuar pranë Fakultetit të Gjeologji-Miniera, Universiteti i Tiranës.

Ndër funksionet publike të ushtruara prej z. Malo, është ai i Kryetarit të Partisë Socialiste, Dega Kolonjë përgjatë viteve 1998-2005.

Prej viti 2013 e ne vazhdim ka mbajtur postin e Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, Korçë.

Përgjatë viteve 2000-2007 ka qenë Kryetar i Këshillit Bashkiak Ersekë; ndërsa në vitet 2000-2011 ka ushtruar detyrën e anëtarit dhe kryetarit të grupit socialist të Këshillit të Qarkut Korçë./b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd