Transmetuar më 12-09-2016, 20:56

I shpëtoi për mrekulli një atentati të mirëorganizuar në Burgun e Vaqarrit, por i ka shpëtuar më parë e dy të tjerëve. Ndërkohë qe frika e tij e vetme është jashtë hekurave të qelisë, për familjen. Gazmir Daci në një intervistë për “Top Channel”, rrëfen për traumën që përjetoi pas ngjarjes në institucionin e vuajtjes së dënimit si dhe pendesën për krimin.

Prej asaj dite, ai qëndron në qeli nën masa të rrepta sigurie dhe çdo lëvizje e tij kontrollohet. Daci shprehet se brenda ambienteve të burgut ndihet i sigurt dhe si besimtar i devotshëm mysliman, ai ka besim se Zoti do ta mbrojë edhe në të ardhmen.

I paraburgosuri shprehet se e ka takuar kosovarin që mbeti gabimisht i plagosur dhe ndjen keqardhje për çfarë i ndodhi.  Teksa qëndron në qelitë e Burgut të Vaqarrit, Daci duket se vuan edhe pasigurinë për jetën e familjarëve, të cilët sipas tij rrezikojnë të preken nga gjakmarrja. Ndaj, i bën thirrje shtetit t’i marrë në mbrojtje.

“I kam bërë një herë apel shtetit, i bëj sërish, që të paktën t’i mbrojë nga ana shtetërore, se unë nuk jam i zoti t’i mbrojë më. Nga këto atentate që më janë bërë. Po si të vrasësh, do të vrasin”, shprehet Daci. Almir Daci ndodhet nën gjykim për një vrasje në Kamëz në 2015-n, kur gjatë një konflikti qëlloi për vdekje Valmir Kolaverin dhe plagosi të vëllain e tij.

Për këtë krim, Prokuroria dyshon se vëllai i tyre, Ergys Kolaveri planifikoi ta vriste me armë nga jashtë rrethimit në kohën që Daci ishte në ajrim, por ngatërroi shënjestër duke dëmtuar shtetasin Lili Dulaj.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd