Transmetuar më 31-08-2016, 10:17

Tiranë, 31 gusht 2016, NOA.al- Dy meshkuj në Tiranë në dy raste të ndryshme akuzohen për përndjekje e dhunë ndaj partnereve të tyre, duke u shkaktuar ankth dhe frikë.

Rasti i parë është ai i 35- vjeçarit Altin Allmuça, i cili u arrestua ditën e djeshme nga policia e Tiranës, pas denoncimit të bërë nga ish- bashkëshortja e tij.

E.M., 31 vjeçe u paraqit në polici duke denoncuar Allmuçën se në kohë dhe në vende të ndryshme, e ka përndjekur, duke i shkaktuar ankth dhe frikë. Gjithçka ka nisur pas përfundimit të martesës mes tyre duke bërë që 35- vjeçari të kërcënojë ish- gruan, duke mos pranuar përfundimin e lidhjes. Ai kishte arritur deri atje sa ta kërcënonte, duke i thënë se nuk do e lejonte të rindërtonte jetën dhe se ajo i përkiste vetëm atij.

Një tjetër rast i ngjashëm po në Tiranë, i ka kushtuar prangat 46- vjeçarit Agron Bilbili. Ai akuzohet se në banesë, në mënyrë të vazhdueshme, ka dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht bashkëjetuesen e tij, L. T., 39 vjeçe, duke i shkaktuar një gjendje të rëndë ankthi dhe frike.

Nga debatet me fjalë për motive nga më të dobëtat, Bilbili vinte dorë ndaj 39- vjeçares, duke e kërcënuar. Pas denoncimit të bërë ndaj tij nga L.T.,46- vjeçari u vu në pranga, i cili rezulton i dënuar edhe më parë./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd