
Një nxënës 16-vjeçar i vendos gjobë drejtorit të shkollës në Tiranë. Ngjarja u bë e ditur ditën e djeshme, kur policia përmes një komunikate të saj njoftoi arrestimin e të miturit.
“Më datë 17 gusht 2016, u arrestua në flagrancë shtetasi A.Xh., 16 vjeç, banues në fshatin Sharrë”, lajmëroi dje Policia. Sipas saj, i riu është arrestuar pasi te shkolla 9- vjeçare “Shyqyri Peza” u kap në momentin që po merrte shumën e 200.000 lekëve në formën e kërcënimit (gjobëvënës) shtetasit Resmi Metaj, 55 vjeç, banues në Vaqar, drejtor i kësaj shkolle 9- vjeçare.
“Panorama” shkruan sot se policia ka bërë me dije se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy celularët që mbaheshin me vete nga 16-vjeçari. Arrestimi i 16-vjeçarit është bërë mbi bazën e hetimit të nisur pas kallëzimit të drejtorit të shkollës Resmi Metaj.
Ai ka thënë në polici se nga disa persona në rrjetet sociale i kanë shkuar mesazhe me përmbajtje “Ti je zemra ime”.
Më pas i njëjti person i ka kërkuar 20.000 lekë të rinj ose 200 mijë lekë të vjetra dhe një stekë paketa cigareje në këmbim të mospublikimit të disa SMS-ve, që pretendohej se zotëroheshin nga kërcënuesi. Më pas drejtori i ka lënë një pako te roja i shkollës “Shyqyri Peza”. Pikërisht në këto çaste, kur i riu ka shkuar ta merrte pakon, ai ka rënë në prangat e policisë.
Autori i gjobëvënës duket se ka pasur një konflikt më të hershëm me drejtorin e shkollës. Mësohet se ky i fundit prej katër vitesh ishte drejtor i shkollës 9-vjeçare “Shyqyri Peza” në Kombinat.
Rreth një vit më parë, tre djem të shkollës i kishin dëmtuar makinën. Drejtori ka thënë se mes këtyre djemve ishte edhe shtetasi A.Xh., autori i gjobëvënës tashmë i arrestuar. Pas dëmtimit të makinës, drejtori i shkollës ka rënë dakord me prindërit e tre djemve të mos bënte denoncim në polici, në mënyrë që ata t’i paguanin dëmin e makinës.
Kështu ka ndodhur dhe më pas, drejtori i shkollës apo vetë nxënësit, nuk kanë pasur më shqetësime.
Sipas Policisë, në datën 12 gusht 2016 drejtorit të shkollës dikush i ka shkruar në rrjetet sociale se “Të kam parë me zysh …. duke shkuar te moteli im dy ditë rresht dhe që të mos flas dua 200 mijë lekë”.
Pikërisht pas këtij momenti mësohet se drejtori i shkollës ka bërë denoncim në polici dhe pasi ka kontaktuar me personin që po i shkruante mesazhe, ka bërë siç kërkonte ai duke dërguar një stekë me cigare te shkolla dhe ka vendosur t’i linte te shkolla “Shyqyri Peza”, ku 16-vjeçari u arrestua nga policia.
Duket se deri në këtë kohë, drejtori i shkollës nuk ka ditur asgjë në lidhje me personin që po i bënte kërcënime. Ndërsa vetë drejtori i shkollës ka qenë në polici duke dhënë shpjegime, forcat e rendit kanë dërguar në komisariat të riun e arrestuar.
Pikërisht në këtë moment, mësohet se drejtori i shkollës Resmi Metaj ka arritur të njihte të riun, që kishte qenë nxënës në shkollën ku edhe ka ndodhur ngjarja.
Drejtori i shkollës mohon pretendimet e adoleshentit
“Djali dhe të tjerët mendojnë se zyshat janë pronë e drejtorit, por marrëdhëniet e mira njerëzit i marrin për keq. Unë kam një kolektiv shumë të mirë dhe të komunikueshëm”. Kështu shprehet Resmi Metaj, drejtori i shkollës “Myslym Keta” në Tiranë, të cilit iu bë shantazh nga një nxënës e që u arrestua në momentin kur po i dorëzonte paratë.
Në një intervistë për ‘Shekullin’ ai shprehet i shokuar për sa shkruhet. Sipas tij. “afera do të thotë shumë, por djali për të marrë lekët thoshte ç’të donte dhe si të donte, se është anonim”.
Pyetur për ngjarjen drejtori ka thënë se: “Unë kam që të premten që më bëhet presion nga një person anonim dhe nuk kam qënë i qetë. Këtu dal sikur unë kam bërë gjithçka. Unë bëra denoncimin se nuk doja të bëja vetëgjyqësi, sepse shkonte më keq, ndaj ndoqa rrugën ligjore. Shkurt, djali në fjalë më ka dëmtuar makinën para një viti pa asnjë shkak. Prindërit e tij e morën përsipër ta rregullojnë dhe dhe e mbyllëm problemin pa asnjë masë”.
Ai thotë me tej se kërcënimi i është bërë përmes Facebook nga një profil anonim “Ti je zemra ime” dhe ai nuk e kishte idenë se mund të ishte një nxënës i shkollës. Ai vendosi ta ndiqte ligjërisht cështjen, ndaj lajmëroi edhe policinë.
“Dua 200 mijë lekë të vjetra dhe një stekë pakete që ta mbyll gojën më tha. Dhe unë e mora me të mirë që ta gjejë ndërsa vendosa me policinë që ta kapim. Kur del më pas që ishte nxënësi i shkollës. U shokova dhe tani shkruajnë gjëra të paqëna për afera me mësueset. Sa turp, unë kam një shkollë model dhe me kushte shumë të mira, me nxënës shumë të mirë. Ndërsa na del një që shkatërron punën dhe bëhet i besueshëm”- thotë ai.
(Në foto: Drejtori i shkollës)
Tiranë, adoleshenti kërcënon dhe i vë 200 mijë lekë gjobë drejtorit të shkollës
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





