
Procesi i maturës shtetërore këtë vit ka pësuar disa ndryshime që kanë të bëjnë jo vetëm me procesin e përzgjedhjes së fituesve por edhe me aplikimin në sistemin online.
Kjo do të thotë që, nëse vitin e kaluar tek formulari A1 aplikohej vetëm për universitetet publike tashmë në këtë aplikim do të përfshihen edhe universitetet privatë.
Me ligjin e ri të Arsimit të Lartë, në kuadër të autonomisë kriteret do t’i vendosin universitet. Këto të fundit nuk kanë një formulë të njëjtë për pranimet pasi një universitet mund t’i japë mesatares 50%, dikush tjetër 30%, etj.
Duke nisur nga data 29 korrik filloi nga MAS, procesi i hedhjes së notave mesatare në sistem. Nga data 29 e deri në ditën e aplikimit, sipas kalendarit për çdo rajon të vendit, për të gjithë maturantët do të hidhet nota mesatare në sistem.
Nëse vitin e kaluar, kishte shumë rëndësi përzgjedhja për 10 preferencat, por sidomos renditja e tyre, sivjet nuk do të ketë përzgjedhje sipas preferencave të para.
Këtë vit, në rast se një maturant e gjen emrin mbi vijën e kuqe, në disa degë njëherësh, ai e merr vendimin vetë për njërën prej tyre. Pra, nuk ka rëndësi renditja e degëve.
Ndërkohë, raundi dytë rinis nga e para. Kur një maturant e sheh që nuk ka fituar në asnjë degë, bën renditjen e re për të fituar universitetin.
Nota mesatare për pranim në institucionet e arsimit të lartë, përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve të mëposhtëm: Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore.
Nisi dje plotësimi i formularit online
Sakaq dje maturantët kanë nisur plotësimin online të formularit të aplikimit në universitet. Të parët që do të aplikojnë janë maturantët e kryeqytetit, të cilët do vijojnë aplikimin deri në datë 3 gusht.
Afati i fundit do të jetë data 11 gusht 2016. Gjithsej janë akorduar 31.579 kuota për 442 programet e studimit që ofrojnë universitet publike dhe private në mbarë vendin.
Të 12 universitetet publike do të pranojnë gjithsej 22.420 maturantë, pa përfshirë kuotat e miratuara për shqiptarët nga trojet.
Maturantët që duan të studiojnë në universitet private këtë vit duhet patjetër që të bëjnë aplikimin online brenda këtyre afateve, pasi në të kundërt nuk do të mund të ndjekin studimet e larta.
Universitetet private do të pranojnë 9158 studentë për vitin akademik 2016-2017.
Para së të bëjnë aplikimin online, maturantët duhet të bëjnë pagesën e faturës së aplikimit për të garuar në universit, e cila është 2 mijë lekë. Më pas duhet të shkojnë në shkollën përkatëse dhe të bëjnë dorëzimin e mandatpagesës, në mënyrë që këtyre kandidatëve t’u pasqyrohet mesatarja e shkollës së mesme në sistemin e elektronik dhe më pas ata të vijojnë me plotësimin e formularit të aplikimit në çdo ambient ku ka akses interneti. Maturantët ndryshe nga vitet e tjera, kur pjesë e programeve të studimit kanë qenë vetëm ato që ofrohen nga universitet publike, këtë vit do të kenë të listuara edhe programet e studimit që ofrohen nga institucionet private.
Në total, në formularin e aplikimit maturantëve do t’u shfaqen 442 programe, ku 290 janë programe studimi që ofrohen në 12 universitete publike dhe 152 të tjera janë programe që ofrohen nga 22 universitete jopublike, mes të cilëve duhet të zgjedhin vetëm 10 programe studimi.
Universiteti i Tiranës për vitin e ri akademik 2016-2017 do të pranojë 5378 studentë,
Universiteti i Mjekësisë këtë vit ka një ulje të vogël të kuotave, pasi do të pranojë në total 817 studentë;
Mjekësia e Përgjithshme ka 226 kuota për brenda vendit dhe 4 kuota i ka për trojet. Infermieria ka 250 kuota për maturantët, për trojet ka 24 kuota, pra totali i pranimit është 274 studentë.
Në Universitetin Bujqësor të Tiranës për këtë vit akademik do të pranohen 2679 studentë, pa përfshirë kuotat e trojeve.
Universiteti Politeknik i Tiranës vetëm për maturantët brenda territorit të vendit ka në dispozicion 1407 kuota pranimi.
Universiteti “Fan Noli” në Korçë do të pranojë 1095 studentë, ndërsa ai i Elbasanit ka 3445 kuota pranimi, pa përfshirë trojet.
Universiteti Gjirokastrës ka në total 929 kuota
Universiteti i Shkodrës ka 1903 kuota pranimi për maturantët brenda territorit.
Universiteti i Vlorës do të pranojë 1927 studentë në vit të parë.
Universiteti i Durrësit do të presë 2321 studentë.
Universiteti i Arteve ka 219 kuota për studentët brenda vendit.
Universiteti i Sporteve ka 300 studentë ku është përfshirë edhe Akademia e Sigurisë me 150 studentë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





